Skuadra e Xhenoas ka siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Sasuolos në fundjavë dhe në kuotën e 36 pikëve, është në rrugën e duhur për të siguruar mbijetesën shumë para mbylljes së kampionatit të Serisë A.
Paralelisht, ka nisur plani në klubin italian për të bërë gati ekipin për sezonin e ardhshëm.
Trajneri Daniele De Rosi do të bëjë një bilanc të punës së futbollistëve të tij në fund të sezonit, për të diskutuar rinovimet me disa prej tyre, por që tani ka një listë për të cilën klubi është vënë në lëvizje për të siguruar firmat në marrëveshje të reja.
Një prej tyre është edhe Kaleb Ekuban, i cili është kthyer në “hajmalinë” e Xhenoas në këto vite.
Sulmuesi nuk ka gjetur shumë shpesh rrugën e rrjetës, por ashtu si ndaj Sasuolos, sa herë që ai shënon, ekipi nuk njeh humbje, një traditë që nuk është prishur ende pavarësisht viteve që ai ka si pjesë e kësaj skuadre.
Ish-sulmuesi i Partizanit ka një opsion rinovimi njëvjeçar automatik në fund të këtij sezoni, por Xhenoa ka nisur bisedimet me të duke i ofruar sulmuesit një kontratë të re 2-vjeçare futbollistit 32-vjeçar, që e ka kuptuar rolin e tij si një futbollist që e nis ndeshjen nga stoli për të ndihmuar ekipin në momentet e vështira.