Futbollisti Edon Zhegrova mund të jetë drejt fundit të aventurës së tij te Juventusi pas një sezoni zhgënjyes.
Drejtuesit e klubit Bardhezi duket se tashmë kanë gjetur një alternativë brenda klubit, shkruan “Onefootball”.
Sipas raportimeve, “Zonja e Vjetër” mund ta konsiderojë shitjen e sulmuesit nga Kosova nëse vjen një ofertë e përshtatshme, duke e parë se forma e tij nuk ka qenë në nivelin e pritur, sidomos pas lëndimit të rëndë në ligamentet e gjurit që e pësoi në kohën kur luante te Lille.
E si zëvendësues ideal të yllit nga Kosova “Bianconeri” e shohin Adin Licinan, 19-vjeçari që të gjithëve ua kujton Kenan Yildiz kur kishte arritur në Torino në vitin 2022.
Licina ka ushtruar me ekipin e parë, por hapat e parë në Torino i ka marrë me ekipin e të rinjve Juventus Next Gen.
Jo vetëm Zhegrova, por edhe disa nga afrimet e verës së kaluar nuk kanë bindur plotësisht në Torino.
Emrat si Jonathan David apo Loïs Openda nuk e kanë dhënë vazhdimësinë e pritur, ndërsa gjiganti italian po e rishikon strategjinë për sezonin e ardhshëm.
Në këtë situatë, Juventus mund të zgjedhë të mos investojë sërish në treg për një zëvendësues të drejtpërdrejtë, por t’i japë besim një talenti që po spikat nga brenda.