As gjermanët nuk e falin Realin

- Bota Sot

As gjermanët nuk e falin Realin

Real Madrid nuk ka kaluar një natë të qetë në Mynih, në pragndeshjen e Ligës së Kampioneve përballë Bajernit vendas.

Siç është bërë thuajse e zakonshme para sfidave të këtij lloji, tifozët vendas janë munduar që të mos i lejojnë madrilenët të flenë gjumë.

Ultrasit e Bajernit kanë përdorur hilenë e fishekzjarrëve, duke ndezur të tilla pranë hotelit ku po qëndronte Reali në orët e vona të natës, për të ngritur nga gjumi Mbape & Co.

Pamjet janë regjistruar nga “Chiringuito TV”, që i ka publikuar duke bërë të qartë se këto fishekzjarrë kishin pasur efekt pasi kishin zgjuar disa prej futbollistëve.

Për më tepër, gazetarët e emisionit të njohur sportiv spanjoll, bënë të ditur se përgjegjësit e sigurisë të Real Madrid, ashtu si edhe forcat e rendit gjermane, kishin nisur menjëherë kërkimin për përgjegjësit, të cilët mund të denoncohen për prishje të qetësisë publike.

Megjithatë, një gjë e tillë rrallëherë ndodh ndaj edhe ndezja e fishekzjarrëve në orët e vona për të prishur gjumin e lojtarëve, është bërë një hile që përsëritet me rregullsi në çdo edicion në vende të ndryshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot