Java e 31-të e Kategorisë së Parë vjen me emocione të fort

- Bota Sot

Java e 31-të e Kategorisë së Parë vjen me emocione të fort

Java e 31-të e Kategorisë së Parë vjen me emocione të forta dhe përballje që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në fatet e sezonit, si në garën për promocionin, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.

Të gjitha takimet do të luhen ditën e dielë, në orën 15:00, në një pasdite që premton spektakël dhe tension deri në minutën e fundit.

Në RTSH Sport do të transmetohet përballja mes Laçit dhe Pogradecit, një duel direkt për zonën e kreut.

Ekipi kurbinas mban vendin e dytë me 70 pikë, ndërsa ndiqet nga shumë pranë pikërisht nga Pogradeci me 67 pikë. Për liqenorët, kjo transfertë është vendimtare, vetëm fitorja i mban gjallë shpresat për elitën, duke barazuar me pikë rivalin e drejtpërdrejtë dhe duke rihapur plotësisht garën.

Po aq e rëndësishme pritet të jetë edhe sfida tjetër që do të transmetohet në RTSH 2, ajo mes Apolonisë dhe Besës. Fierakët po kalojnë një moment shumë të vështirë, pasi nuk njohin fitore prej 17 ndeshjesh radhazi dhe tashmë ndjejnë seriozisht rrezikun e rënies nga kategoria.

Në anën tjetër, Besa ndodhet në vendin e gjashtë me 35 pikë, pozicion që të çon në Play-Off, dhe do të synojë të përfitojë maksimalisht nga kriza e kundërshtarit për të konsoliduar vendin në zonën e pretendimeve.

Në takimet e tjera, Luftëtari do të presë Burrelin, Kukësi do të luajë me Korabin, Lushnja do të përballet me Ilirinë , ndërsa kryesuesit e Skënderbeut do të ndeshen me Kastriotin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot