“Djajtë e Kuq” të Mançester Junaitid u mposhtën 1-2 nga Lids brenda në “Old Trafford”, në një ndeshje të Premier Ligës, që u ndikua ndjeshëm nga një karton i kuq vendimtar për Lisandro Martinez.
Skuadra vendëse u gjend shpejt në disavantazh dhe çdo përpjekje u godit rëndë pas përjashtimit të mbrojtësit argjentinas.
Një situatë, që solli reagimin e rëndë të Roi Kin, duke kritikuar jo vetëm incidentin, por edhe mentalitetin e skuadrës:
“Jam habitur plotësisht. Kur je duke humbur 2-0 në ‘Old Trafford’ ndaj Lids, në një ndeshje ku duhet të tregosh karakter dhe krenari, ndodh që mbrojtësi yt kryesor përjashtohet, sepse i tërheq bishtin e flokëve Dominik Kalvert-Ljuin.
Mos jemi në ndonjë shkollë fillore? Dëgjoj njerëz që justifikohen, duke thënë se ishte një tërheqje e lehtë dhe që VAR nuk duhej të ndërhynte… Nuk më intereson as nëse po përpiqej t’ia bënte… gërshet!
Është një budallallëk i pabesueshëm!!! Ai i la shokët e skuadrës në momentin kur kishin më shumë nevojë”. Ish-mesfushori i “Djajve” paralajmëroi edhe për pasojat në ndeshjet e ardhshme:
“Shikoni situatën ku e kanë futur veten tani. Luajnë me Çelsin të shtunën.
Nëse paraqiten me këtë mentalitet të dobët, Liverpuli dhe Aston Vila do të kënaqen. Kështu që Mançestero do ta gjejë veten në vendin e pestë deri të dielën në mbrëmje, duke pyetur çfarë ndodhi. Je Mançester Junaitid, po mundesh në shtëpinë tënde nga Lids, dhe mbrojtësit e tu merren me tërheqje flokësh…
Është një turp i madh. Mua do të më vinte turp të shikoja veten në pasqyrë pas kësaj”, deklaroi prerazi legjenda e klubit nga “Old Trafford”. Aktualisht, “Djajtë e kuq” janë në pozicionin e tretë me 55 pikë.