Sulmuesi holandez Memphis Depay pritet të qëndrojë më gjatë jashtë fushës, pas një përkeqësimi të lëndimit që ka ndodhur si pasojë e një gabimi nga stafi i Corinthians.
Sipas raportimeve të mediave braziliane, Depay ishte në fazën përfundimtare të rikuperimit nga një lëndim i muskulit, kur i është kërkuar ta kryente një ushtrim që ka rezultuar se ka qenë i papërshtatshëm për gjendjen e tij.
Gjatë ushtrimit, sulmuesi ka ndjerë sërish dhimbje, duke e përkeqësuar lëndimin që kishte pësuar më herët. Si pasojë, rikthimi i tij në fushë do të shtyhet të paktën edhe dy javë të tjera.
Ky rast ka shkaktuar tensione mes lojtarit dhe stafit të ekipit. Vetë Depay ka reaguar publikisht në rrjetet sociale.
Lëndimi fillestar i tridhjetë e një vjeçarit kishte ndodhur më 22 mars në një ndeshje të kampionatit brazilian kundër Flamengo.
Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, ka theksuar më herët se Depay do të ftohet në Kupën e Botës vetëm nëse është qind për qind i gatshëm fizikisht, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në këtë turne të madh.