“Jam Mysliman”, edhe në duart e prizrenasve – debate rreth librit

- Gazeta e Prizrenit

“Jam Mysliman”, edhe në duart e prizrenasve – debate rreth librit

Në librarinë “Altera” në Prizren u promovua dhe mbajt një diskutim me autorin Ben Blushi rreth librit të tij “Jam Mysliman”, raporton Gazeta e Prizrenit.

Autori foli për librin dhe tregoi se një nga shtysat për ta shkruar ka qenë rasti i një fqinji, i cili ndonëse ishte ateist, kishte hezituar, por që shkaku i rrethanave personale, ishte bërë mysliman.

Libri trajton tema të ndjeshme dhe komplekse që lidhen me identitetin fetar, kulturor dhe historik të shqiptarëve, duke ofruar një këndvështrim kritik dhe provokues.

Sipas autorit, romani rrëfen historinë e një shkrimtari që, pas shumë peripecive personale, vendos të përqafojë fenë islame. Pikëpamjet e tij për Islamin ndryshojnë me kalimin e kohës, sidomos pas një vizite në Mekë, ku përjeton një transformim të thellë shpirtëror. Ai megjithatë tha se nëse një shqiptar e konsideron Skënderbeun armik, atëherë nuk është mysliman por islamik.

Blushi theksoi se rreziku qëndron kur feja vendoset mbi shtetin, duke sqaruar se libri është kundër Sheriatit, dhe jo kundër Islamit. “Shpresoj shumë që romani të lexohet siç është, pra si letërsi dhe asgjë tjetër”, tha ai.

Me këtë rast foli edhe profesori dhe krijuesi Agim Vinca, i cili ndër tjera tha se edhe Rilindasi i madh Naim Frashri, ndonëse ka jetuar në Stamboll e ka shkruar veprën “Historia e Skënderbeut”.

Mendimet e tyre u mbështetën dhe u ndanë edhe nga pjesëmarrësit në diskutim. / Gazeta e Prizrenit /



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit