Futbollisti: Kam menduar t’i jap fund jetës

- Bota Sot

Futbollisti: Kam menduar t’i jap fund jetës

Historia e Dario Silvas është një nga më dramatiket në botën e futbollit.

Ish-sulmuesi uruguaian e ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij, pas aksidentit të rëndë rrugor që i kushtoi me humbjen e këmbës.

Ngjarja ndodhi në vitin 2006, kur Silva u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik, pas të cilit mjekët u detyruan t’ia amputonin këmbën e djathtë, duke i dhënë fund përfundimisht karrierës së tij si futbollist profesionist.

Duke folur për atë periudhë, ish-lojtari e ka treguar dhimbjen e madhe që e kishte përjetuar.

“Kam kaluar momente shumë të vështira, kam menduar edhe t’i jap fund jetës. Doja të vdisja.”

Një rrëfim i fortë që tregon sa e rëndë ishte goditja psikologjike për të.

Megjithatë, Silva arriti ta gjejë forcën për të vazhduar përpara: “Pastaj mendova për familjen time, për njerëzit që më duan dhe kuptova se duhej të vazhdoja të luftoja.”

Ish-sulmuesi, i cili në karrierën e tij ka veshur fanellat e skuadrave si Sevilla, Malaga, Cagliari dhe Portsmouth, si dhe ka qenë pjesë e kombëtares së Uruguait, e përshkruan rikthimin në jetë si një sfidë të përditshme.

Pas tragjedisë, jeta e tij ndryshoi rrënjësisht, por ai nuk u dorëzua kurrë, duke u përpjekur ta ndërtojë një realitet të ri larg fushave të blerta.

“Pas pensionimit kam punuar si kamarier, por përballesha ndërkohë edhe me depresionin.

Kam mundur të merrja pjesë edhe në Paraolimpiadën 2012”, shtoi në fund Dario Silva, i cili sot jeton në Montevideo dhe i ka pesë fëmijë.

Një histori e fortë, mes dhimbjes dhe forcës për të vazhduar, që tregon anën më njerëzore të sportit dhe të jetës përtej futbollit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot