Policia po i kërkon vrasësit e referit

- Bota Sot

Policia po i kërkon vrasësit e referit

Një ngjarje tronditëse e ka shokuar futbollin në Ekuador.

Një refer është vrarë gjatë një ndeshjeje amatore, pasi është qëlluar me armë zjarri brenda fushës së lojës, në një skenë të paprecedentë dhune që ka sjellë panik të madh mes lojtarëve dhe tifozëve.

Viktima është gjyqtari Javier Ortega, i cili po e drejtonte një ndeshje në qytetin Pasaje, në provincën El Oro.

Sipas raportimeve, disa persona të armatosur kanë hyrë në fushë gjatë zhvillimit të takimit dhe kanë hapur zjarr ndaj tij, duke e goditur për vdekje në mes të lojës, përcjell “Gazeta Express”.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të emergjencës, për referin nuk ka pasur asgjë për të bërë: ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Ngjarja ka shkaktuar skena paniku në stadiumin ku po zhvillohej takimi, me lojtarët dhe tifozët që janë larguar me shpejtësi nga fusha për t’i shpëtuar kaosit të krijuar pas të shtënave.

Ndeshja është ndërprerë menjëherë dhe më pas është anuluar plotësisht.

Autoritetet lokale i kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, të cilët janë ende në arrati.

Hetuesit nuk e përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe një sulm të planifikuar apo hakmarrje të mundshme jashtë kontekstit sportiv.

Policia ka bërë të ditur se po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në vendngjarje, për t’i rindërtuar plotësisht momentet e tragjedisë dhe për t’i identifikuar sulmuesit.

Ky incident i shton edhe më shumë shqetësimet për rritjen e dhunës në Ekuador, ku në vitet e fundit janë raportuar disa ngjarje të rënda kriminale në futbollin amator dhe atë profesional.



Lexoni të gjitha në Bota Sot