Neuer flet për “dhuratën” që ia bëri Gülerit mbrëmë

- Bota Sot

Neuer flet për “dhuratën” që ia bëri Gülerit mbrëmë

Manuel Neuer rikthehet te episodi që e hapi ndeshjen mes Bayern Munichut dhe Real Madridit, duke e pranuar gabimin që ia dhuroi golin e parë Arda Gülerit pas vetëm pak sekondash lojë.

Portieri gjerman, protagonist negativ në atë rast, ka shpjeguar me sinqeritet çfarë ndodhi: “Doja t’ia pasoja topin Stanisicit, por goditja ime nuk doli siç duhet dhe përfundoi te Güler.”

Një gabim i rëndë në ndërtimin e aksionit, që iu kushtoi menjëherë me gol bavarezëve dhe e ndryshoi rrjedhën e fillimit të ndeshjes.

Në fakt, sipas raportimeve, gjithçka ndodhi pas vetëm pak sekondash, me Neuer që e humbi një top të thjeshtë dhe ia dha mundësinë talentit turk të shënonte pa hezitim.

Megjithatë, portieri i Bayernit nuk u fsheh pas justifikimeve dhe e pranoi përgjegjësinë:

“Janë gjëra që ndodhin në futboll, por padyshim që është një gabim që nuk duhet të ndodhë në këtë nivel.”

Pavarësisht rastit në fjalë, Bayerni arriti të reagojë dhe të rikthehet në lojë, duke e përmbysur rezultatin në një ndeshje spektakolare të mbyllur me shumë gola dhe emocione deri në fund.

Sidoqoftë, Neuer mbetet një nga figurat kyçe të skuadrës bavareze, por rasti me Güler do të mbetet një nga momentet më të diskutuara të kësaj përballjeje të Championsit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot