Milani beson tek Allegr

- Bota Sot

Milani beson tek Allegr

Sipas raportimeve të fundit, Milani synon të konfirmojë Masimiliano Allegrin si trajner edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht zërave të shumtë që e lidhin atë me pankinën e kombëtares italiane.

Gazetari i njohur Karlo Pelegati, në një video të publikuar në rrjetet sociale, ka folur për situatën aktuale në klubin kuqezi dhe të ardhmen e teknikut.

Ai thekson se administratori i deleguar Xhiorxhio Furlani dëshiron ta “blindojë” Alegrin, i cili mund të tundohet nga ideja e drejtimit të kombëtares nëse do të kishte ndryshime në drejtimin e federatës.

Megjithatë, sipas Pelegatit, Milani duhet të shmangë pasiguritë dhe të mos ndryshojë sërish kurs, duke pasur parasysh luhatjet e viteve të fundit. Ai është i bindur se Alegri do të jetë trajneri i Milanit edhe sezonin e ardhshëm dhe se ekziston vullneti për ta bërë këtë të ditur publikisht në pjesën finale të sezonit. Pelegati shton gjithashtu një element shumë të rëndësishëm.

Nëse Alegri largohet, rrezikohet edhe që disa nga lojtarët kryesorë si Adrien Rabiot, Luka Modriç dhe Majk Menja të ndjekin të njëjtën rrugë. Sipas tij, drejtuesit duhet të marrin një qëndrim të fortë dhe të qartë. Ai sjell si shembull rastin e Juventusit, që në një moment delikat vendosi të siguronte trajnerin Luçiano Spaleti me kontratë, duke i dhënë stabilitet skuadrës.

Pelegatti sugjeron që drejtuesit e Milanit duhet të shkojnë në Milanelo dhe, përpara skuadrës, të deklarojnë hapur besimin ndaj Alegrit, duke e lidhur të ardhmen e tij me një projekt afatgjatë deri në vitin 2028.

Sipas tij, edhe nëse kualifikimi në Champions League mbetet objektiv, klubi duhet të japë një sinjal të fortë besimi dhe stabiliteti. Në fund, ai ngre një pyetje të drejtpërdrejtë:

A është vërtet kaq e vështirë që drejtuesit të dalin përpara lojtarëve dhe të thonë qartë se Alegri është trajneri i sotëm, i nesërm dhe i së ardhmes së Milanit, pavarësisht gjithçkaje?



Lexoni të gjitha në Bota Sot