E ardhmja e Alessandro Bastonit vazhdon të jetë në qendër të spekulimeve, sidomos pas paraqitjeve të fundit me Kombëtaren e Italisë, ku mbrojtësi ka marrë kritika për performancën e tij. Megjithatë, interesimi për të në merkato mbetet i lartë.
Sipas raportimeve, Barcelona po ndjek prej kohësh situatën e mbrojtësit të Inter dhe është gati të bëjë një lëvizje konkrete.
Klubi katalanas po mendon të përfshijë në negociata talentin e ri Héctor Fort si pjesë të marrëveshjes.
Mbrojtësi i ri, i lindur në vitin 2006, aktualisht luan në formë huazimi tek Elche.
Ndërkohë, trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka dalë në mbrojtje të Bastonit gjatë një konference për shtyp, duke kërkuar më shumë respekt për lojtarin. “Prej një muaji flitet për të vetëm në mënyrë negative, ndërkohë që duhet vlerësuar si njeri dhe si futbollist. Ka dhënë gjithçka për Kombëtaren, edhe pse ka pasur probleme fizike”, u shpreh tekniku zikaltër.
Chivu theksoi gjithashtu se lojtari ende nuk është në gjendjen e tij më të mirë fizike, për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, që e ka kufizuar në stërvitje gjatë javëve të fundit.
Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse Inter do të pranojë një ofertë të tillë nga Barcelona, apo do të vendosë ta mbajë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së saj.