Skuadra angleze Aston Villa është kualifikuar në gjysmëfinale të Europa League, pasi ka mposhtur bindshëm Bologna FC.
Në ndeshjen e transmetuar drejtpërdrejt në RTK, Aston Villa ka fituar me rezultat të thellë 4:0, ndërsa ndeshjen e parë në Itali e kishte fituar 3-1. Me këtë rezultat, skuadra angleze kalon tutje me rezultat të përgjithshëm 7-1.
Villa ka kaluar në epërsi 1-0 me golin e Ollie Watkins pas asistimit të Morgan Rogers.
Në minutën e njëzet e pestë, Rogers ka pasur mundësi të artë për ta dyfishuar epërsinë nga penalltia, por goditja e tij është ndalur nga portieri Federico Ravaglia.
Vetëm një minutë më vonë, në minutën e njëzet e gjashtë, Emiliano Buendia ka realizuar për 2-0.
Në minutën e tridhjetë e nëntë, Aston Villa ka shënuar edhe golin e tretë, kur Morgan Rogers ka realizuar pas asistimit të John McGinn.
Goli i katërt dhe i fundit ka ardhur në minutën e tetëdhjetë e nëntë, kur Ezri Konsa ka realizuar për 4-0, duke vulosur një fitore të madhe dhe kualifikimin e merituar në gjysmëfinale.