Dy punëtorë lëndohen në vendin e punës në Cerajë të Leposaviqit, dërgohen në QKUK

- Bota Sot

Dy punëtorë lëndohen në vendin e punës në Cerajë të Leposaviqit, dërgohen në QKUK

Dy punëtorë janë lënduar dje në vendin e punës në fshatin Cerajë të komunës së Leposaviqit.

Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar shefi i operativës rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, i cili tha se Policia është njoftuar rreth orës 14:15, ndërsa të njëjtit janë lënduar gjatë punës në rrjetin e rrymës.

“Rreth orës 14:15 jemi njoftuar për rastin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe inspektorati i punës. Janë lënduar gjatë punës në rrjetin e rrymës”, ka deklaruar Fejza.

Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Leposaviq, ndërsa më pas janë transferuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, Shpend Fazliu, ka konfirmuar për KosovaPress se të lënduarit kanë arritur rreth orës 15:10.

“Dje, në ora 15:10, kanë arritur dy të lënduar nga fshati Cerajë me lëndime të rënda. Pas ekzaminimeve emergjente dhe CT-së, janë referuar në QKUK”, ka thënë Fazliu.



Lexoni të gjitha në Bota Sot