207 ankesa shkojnë në AIP për tre muaj, Sogojeva: Sfidë mungesa e stafit e buxheti i kufizuar

- Bota Sot

207 ankesa shkojnë në AIP për tre muaj, Sogojeva: Sfidë mungesa e stafit e buxheti i kufizuar

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, për eo ka bërë të ditur se institucioni që ajo drejton ka pranuar 207 ankesa gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka theksuar se mungesa e stafit dhe buxheti i kufizuar mbeten sfida kryesore në funksionimin e Agjencisë.

Ajo tha se, përkundër ngarkesës së madhe, një numër i konsiderueshëm i ankesave është trajtuar dhe mbyllur.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi për (tre mujorin e parë) vitin 2026 ka pranuar 207 ankesa. Për ta kemi parasysh që një numër rreth 180 ankesave veç kanë qenë të bartura nga viti paraprak. Dhe në kuadër të trajtimit, ne për këto 207 ankesa që i kemi pranuar për këto tre muaj, 63 janë mbyllur dhe janë mbyllur 131 ankesa të vitit të kaluar, që në total ka arritur numri prej 194 ankesave të mbyllura në sektorin e qasjes në dokumente publike. Kemi 142 ankesa të tjera të cilat janë në proces, kemi vendime përfundimtare 63 dhe vendime aprovuese 7. Vendimet aprovuese janë vendime të cilat thjesht e detyrojnë institucionin për ofrimin e qasjes. Në bazë të statistikave, Agjencia mbetet me trendin e njëjtë të ofrimit të qasjes për qytetarët, pra marrjen e informacionit pa pasur nevojë të shqiptimit të gjobave, ende nuk kemi shqiptuar asnjë gjobë këtë vit në qasjen në dokumente publike, çka do të thotë që të gjitha ankesat që janë trajtuar është ofruar qasja nga ana e institucioneve publike”, tha ajo.

Sogojeva-Dermaku theksoi se është rritur edhe numri i ankesave për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ndërsa, sa i përket mbrojtjes të të dhënave, kemi pranuar rreth 32 ankesa këtë vit, domethënë shihet një trend i rritjes numrit të ankesave nëse krahasojmë me janarin e vitit të kaluar, apo tremujorin e vitit të kaluar. Kemi lëshuar 29 vendime për këto ankesa dhe njoftime për shkelje të të dhënave janë 21 që i kemi bërë deri më sot. Dhe po ashtu 21 vendime të nxjerra. Janë 34 inspektime të kryera në divizionin e ankesave, pra inspektime në bazë të ankesës. Dhe kemi rreth 26 inspektime të rregullta në bazë të planit të inspektimeve që e bëjmë”, tha ajo.

Ajo ngriti shqetësimin për mungesën e stafit, duke theksuar se Agjencia operon me kapacitete të kufizuara.

“Mbetet sfidë për Agjencinë për Informim dhe Privatësi numri i kufizuar i stafit. Ta keni parasysh që operojmë me 6 inspektorë dhe e mbulojmë gjithë territorin e Kosovës, kontrollues publik e privat, por edhe për persona fizik që mbledhin të dhëna personale për qëllimin e kryerjes së veprimtarisë së tyre. Dhe në sektorin e qasjes në dokumente publike, apo në departamentin ku janë dy sektorë, njëri është për monitorim dhe tjetri për shqyrtim të ankesave, në shqyrtim të ankesave i kemi 3 zyrtarë dhe drejtorin, 4, duke e mbështetur atë edhe me zyrtarë të tjerë të cilat janë të angazhuar me punë dytësore”, tha ajo.

Sipas saj, kufizimet buxhetore po ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetet e Agjencisë, veçanërisht në fushatat ndërgjegjësuese.

“Në përgjithësi mbesim në kapacitete të kufizuara qoftë humane, pra që janë profesionistët, njerëzit që kryejnë punën, por edhe në kapacitete shumë të kufizuara financiare. Që po na e pamundëson tashmë edhe ngushtimi i këtyre projekteve, që përpara Agjencia ka pasur shumë projekte të cilat e kanë ndihmuar agjencinë në fushatat ndërgjegjësuese rreth qytetarëve për të drejtat e tyre, pra të drejtën e privatësisë dhe të drejtën e informimit, tanimë me një buxhet të njëjtë, të cilin pothuajse na përcillet çdo vit i njëjti buxhet është e pamundur. Dhe në pamundësi të projekteve siç i kemi pasur viteve më përpara, domethënë do të mbetemi peng i kësaj pamundësie buxhetore për t’i vazhduar fushatat ndërgjegjësuese. E sidomos tek mbrojtja e të dhënave personale, që përsëri i bëj thirrje tek të gjithë qytetarët, kontrolluesit publik e privat, të kenë kujdes se si po e përdorin internetin e hapur. Në veçanti aplikacionet të cilat kanë për bazë inteligjencën artificiale, të sigurohen në çështjet e dezinformimit përmes përdorimit të teknologjive të reja që duken shumë reale, në fakt nuk janë të vërteta. Dhe të kenë kujdes tek fëmijët që t’i kontrollojnë veprimet e fëmijëve në internet të hapur”, tha ajo.

Ajo shtoi se kërkesat për rritje të buxhetit janë bërë vazhdimisht, por pa përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

“Fillimisht ne kërkesat buxhetore i çojmë çdo vjet. Pastaj edhe në rishikim të buxhetit. Në planin e performancës e parashohim buxhetin dhe tregojmë sfidat që i kemi. Në raportin vjetor që e çojmë tregohen sfidat me të cilat përballemi, që do të thotë që çdo herë janë të paraqitura të paktën dy herë në vit kërkesat tona për buxhet shtesë. Nuk kemi pasur ndonjë përgjigje direkte pse nuk po na jepet buxhet shtesë, por thjesht kemi pasur një heshtje dhe një ndarje të buxhetit ashtu siç ndahet për institucionet e tjera dëgjim buxhetor që bëhet një herë në vit”, tha ajo.

Komisionerja theksoi se, pavarësisht sfidave, Agjencia ka ndërmarrë hapa përmes platformave digjitale për të monitoruar rrjedhën e të dhënave personale, por paralajmëroi se ndërgjegjësimi i qytetarëve mbetet i ulët, sidomos për rreziqet nga përdorimi i teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale.

“Ndërsa se a kemi pengesa? Absolutisht që është evidente sfida jonë për ta mbuluar gjithë territorin e Kosovës, të gjithë kontrolluesit publikë e privatë. E që mënyra e përpunimit të të dhënave personale nuk është vetëm platforma që t’i ruan të dhënat por është edhe mënyra tjetër kur ti bën marketing të drejtpërdrejtë, kur merr të dhëna personale përmes kamerave, domethënë është një fushëveprimtari shumë e gjerë, atëherë me 6 inspektorë normalisht që jo vetëm që është sfiduese, por pothuajse është e pamundur të plotësohen të gjitha kërkesat në raport me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Gjithsesi përkundër krejt kësaj ne duke qenë se tashmë e kemi edhe platformën digjitale për rrjedhjen e të dhënave personale që i monitorojmë rrjedhën e të dhënave nga ofrues të ndryshëm të internetit në territorin e Kosovës edhe kontrollues të ndryshëm, kjo na ka shërbyer si masë parandaluese, apo edhe i kemi njoftuar kontrolluesit se kanë rrjedhje të të dhënave dhe të ndërmarrin masat e sigurisë”.

“Domethënë kemi planifikuar, kemi futur në funksion platforma të atilla që na ndihmojnë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit të mbrojtjes së të dhënave përmes zyrës, domethënë përmes kompjuterit jo me inspektime fizike. Gjithsesi kjo është një pjesë shumë e vogël që e mbulon fushëveprimtarinë e inspektimeve. Dhe përkundër, thashë, që kemi pas vazhdojmë të kemi vetëm 6 inspektorë nuk ka sektor në Kosovë me të cilin nuk kemi punuar, me të cilin nuk kemi ofruar trajnime, ku nuk ka zyrtarë të të dhënave, domethënë pothuajse, mos të flas sektorin publik, por edhe sektorin privat, të gjithë kanë zyrtarin e mbrojtjes së të dhënave. Ajo çka mbetet sfidë është ndërgjegjësimi qytetar. Qytetarët ende nuk e dinë riskun që mund të sjellë përdorimi i të dhënave tona personale ndaj dikujt. Ende nuk e dinë se si mund të përdoren apo keqpërdoren këto të dhëna dhe çfarë ndikimi negativ mund të kenë në jetën e tyre, që nuk është vetëm një bullizim, nuk është vetëm një linçim, por thjesht është një tjetërsim i unit apo i personit dhe qenies njerëzore në botën virtuale”, tha ajo.



Lexoni të gjitha në Bota Sot