Vllaznia një fortesë "e pathyeshme" për Vorën

- Bota Sot

Vllaznia një fortesë "e pathyeshme" për Vorën

Vllaznia do të luajë sot në transfertë përballë Vorës, në kuadër të javës së 32-të të Abissnet Superiore në sfidën që do të nisë në orën 16:00. Shkodranët vijnë në këtë duel pas fitores miminale në shtëpi ndaj Teutës dhe do të kërkojnë të ecin me të njëjtin ritëm dhe përballë skuadrës së Arjan Bellait.

Edhe pse matematikisht kanë siguruar një vend në top 4-shen e Final Four, të besuarit e Edi Martinit nuk duan të qëndrojnë në zonën e tyre të komfortit por të përfundojnë punën e nisur që prej fillimit të sezonit, për ti shkuar në fund misionit për titullin kampion në Shqipëri. 

Tekniku shkodran do të jetë i detyruar të bëjë disa lëvizje emergjente në formacion, i limituar nga mungesat e lojtarëve të rëndësishëm. Në anën tjetër, për Martinin, është rikuperuar Bajrami, me mbrojtësin që pritet të fiksojë vendin e titullarit që prej minutës së parë të sfidës.

Me një formacion 3-5-2, shkodrani nuk llogarit asnjë rezultat tjetër veç fitores, ndaj një kundërshtari me të cilin nuk njohin humbje këtë sezon. 

Kryesuesit gjejnë një Vorë që ka rikuperuar pikë të rëndësishme në dy javët e fundit, pasi vendasit vijnë me një fitore dhe barazim duke bërë që gara për mbijetesën të qëndrojë e hapur deri në llogaritë finale. 

Një ndeshje që nuk duhet lëshuar për shkodranët, pasi edhe ndjekësi më i afërt Elbasani "mori veten" nga fitorja me Partizanin në "Elbasan Arena" me rezultatin e pastër 3-0, e që vazhdon tia kërcënojë pozitat rivalit pasi distanca me kreun është rikthyer në po 3 pikë. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot