Alegri në radarët e Real Madridit për stolin e ri

- Bota Sot

Alegri në radarët e Real Madridit për stolin e ri

Pas eliminimit në Champions nga Bajern Mynih, në një ndeshje spektakolare të përfunduar 4-3 për bavarezët, sezoni i Real Madrid mund të konsiderohet praktikisht i mbyllur. “Los Blancos” janë eliminuar edhe nga Kupa e Mbretit, ndërsa në La Liga diferenca me Barcelona duket tashmë e pakapërcyeshme.

Kjo shënon një nga sezonet më zhgënjyese të viteve të fundit për madrilenët, i pari në pesë vitet e fundit pa asnjë trofe.

Ndryshimet në stol nuk dhanë efekt. Sezoni nisi me Çabi Alonso në pankinë, por gjatë rrugës drejtimi iu besua një tjetër ish-lojtari, Alvaro Arbeloa. Megjithatë, ndryshimi nuk solli përmirësimin e pritur dhe skuadra vazhdoi me paraqitje të paqëndrueshme.

Pikërisht për këtë arsye, presidenti Florentino Perez po mendon një tjetër revolucion në stol gjatë verës, me synimin për të hapur një cikël të ri.

Alegri mes kandidatëve kryesorë Sipas raportimeve nga “DSports”, një nga tre emrat në listën e Real Madridit është Masimiliano Alegri, një profil i vlerësuar prej kohësh nga Perez.

Në garë për stolin madrilen janë edhe Jyrgen Klop dhe Didier Deshamp.

Ky i fundit pritet të largohet nga kombëtarja pas Kupës së Botës dhe mund të ribashkohet me disa lojtarë francezë që tashmë janë pjesë e skuadrës së Real Madridit. Në prag të verës, duket se në Madrid po përgatitet një tjetër ndryshim i madh, dhe emri i Alegrit po fiton gjithnjë e më shumë terren.



Lexoni të gjitha në Bota Sot