A do të ketë një garë mbarëkombëtare në futboll? Flet Armand Duka

- Bota Sot

A do të ketë një garë mbarëkombëtare në futboll? Flet Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi sot se rikthimi i idesë për organizimin e Kupës Mbarëkombëtare me Kosovën mund të bëhet i mundur vetëm nëse garantohen kushtet e nevojshme financiare dhe nëse ka interes nga klubet.

Duke iu përgjigjur interesimit të ATSH-së, lidhur me zhvillimin e një superkupe mes ekipeve kampione të Shqipërisë dhe Kosovës dhe atyre fituese të kupave respektive, në formatin e një “Final 4”, Duka theksoi se, ideja për zhvillimin e një Superkupe mes skuadrave kampione dhe fituese të kupave të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është aktualisht në planet e FSHF.

Ai sqaroi se një projekt i mëparshëm ka qenë Kupa Mbarëkombëtare, e cila synonte përfshirjen e klubeve nga të gjitha nivelet në Shqipëri dhe Kosovë, por që nuk u realizua për shkak të kostove të larta financiare dhe situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

“Për të qenë të sinqertë, nuk e kemi menduar organizimin e një Superkupe të tillë. Projekti që kemi nisur disa vite më parë ishte për Kupën Mbarëkombëtare, për të cilën hartuam edhe një plan financiar, pasi kërkon mbështetje të konsiderueshme”, u shpreh Duka për ATSH.

Ai nënvizoi se organizimi i një kompeticioni të ri kërkon jo vetëm aspektin sportiv, por edhe interes të gjerë publik dhe mbështetje financiare.

“Sot është e vështirë të organizosh një aktivitet në futboll pa pasur stimuj konkretë. Nëse nuk ka përfitime sportive apo financiare, një kompeticion i tillë nuk ngjall interes. Ky lloj turneu nuk mund të ofrojë përfitime sportive si kualifikimi në kupat e Europës, ndaj duhet të ketë stimuj financiarë, të cilët lidhen drejtpërdrejt me shikueshmërinë dhe marketingun”, tha ai.

Sipas Dukës, projekti i Kupës Mbarëkombëtare parashikonte mbështetje financiare për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, duke nisur nga kategoritë më të ulëta në të dy vendet.

“Plani ynë përfshinte mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe akomodimit për ekipet, si dhe një fond total prej rreth 2 milionë euro në vit. Kjo është një kosto që federatat nuk mund ta përballojnë të vetme”, theksoi ai.

Duka shtoi se propozimi i është paraqitur më herët edhe qeverive të të dy vendeve, por nuk ka marrë përgjigje, ndërsa më pas procesi u ndërpre për shkak tëpandemisë.
Në përfundim, ai u shpreh se ideja për një kompeticion të përbashkët mbetet e vlefshme dhe mund të rikthehet në të ardhmen, por vetëm nëse garantohen kushtet për ta bërë atë tërheqës dhe konkurrues.

“Duhet të krijojmë një aktivitet që gjeneron interes real, ku klubet të marrin pjesë me formacionet më të mira. Në të kundërt, nëse mungon interesi, ekipet mund të aktivizojnë lojtarë rezervë dhe kompeticioni nuk arrin qëllimin e tij”, përfundoi Duka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot