Barazimi 1-1 mes Dinamo City-t dhe Tiranë la shije të hidhur te dinamovitët, me trajnerin Ilir Daja që theksoi mungesën e efikasitetit si problemin kryesor të skuadrës së tij.
“Sigurisht që një fitore sot do na fuste në një rrugë akoma më të mirë. Jo në drejtim të lojës, por në drejtim të pikëve... na ndodh gjithë kohës që jemi prezent në 90 minuta, kemi manovra të konsoliduara, kemi raste”, u shpreh Daja pas ndeshjes.
Tekniku i Dinamos vuri theksin te mungesa e konkretizimit, duke lënë të kuptohet se skuadra e tij meritonte më shumë në renditje:
“Kanë ngelur pak ndeshje tani, por që nëse do të ishim më cinikë, nëse do të ishim efikasë në finalizimin e rasteve, ndoshta duhet të ishim shumë herë më lartë në klasifikim se sa ku jemi”.
Ai përmendi edhe momentet kyçe të sfidës, ku Dinamo ishte pranë fitores: “Jo vetëm penalltia, por edhe rasti i Ditës në fund fare.
Kemi qenë prezentë në lojë gjatë 90 minutave, kemi mbajtur fitimin e territorit në gjysmëfushën e kundërshtarit, ky është futbolli”.
Në fund, Daja preferoi të mos zgjerohej shumë në detaje taktike, por la të kuptohet se skuadra e tij ka ende hapësira për përmirësim në ndeshjet e mbetura të sezonit.