Drejtuesit e Milanit kanë zgjedhur të shmangin polemikat për të ardhmen e trajnerit, duke vendosur fokusin te objektivat sezonalë.
Para ndeshjes ndaj Hellas Verona, drejtori sportiv Igli Tare dha një mesazh të qartë për situatën e teknikut Massimiliano Allegri.
“Është e kotë të flasim tani për këtë situatë. Të gjitha energjitë duhet t’i përqendrojmë te objektivi ynë, që është kualifikimi në Champions League. Allegri ka bërë një punë shumë të mirë këtë sezon, ka një kontratë afatgjatë me Milanin dhe i pëlqen të planifikojë.
Pikërisht për këtë po punojmë së bashku për të ardhmen”, u shpreh Tare për mediat.
Nga ana tjetër, ai theksoi rëndësinë e menaxhimit të klubit si një strukturë e qëndrueshme dhe konkurruese.
“Më pëlqen të punoj në një klub që funksionon si një kompani: duhet të jetë konkurrues dhe njëkohësisht i qëndrueshëm. Kjo nuk arrihet brenda një dite. Duhet planifikim, analizë dhe reflektim mbi gabimet, për të vazhduar përpara”, deklaroi trajneri në konferencën për shtyp para sfidës.
I pyetur për të ardhmen e tij dhe lidhjen me rezultatet, Tare pranoi presionin që vjen me drejtimin e një klubi të madh. “Kur mungojnë rezultatet, të gjithë vihen në diskutim.
Jemi të vetëdijshëm për këtë. Gjëja më e rëndësishme është të arrijmë objektivat tanë dhe më pas të ulemi të gjithë bashkë, drejtuesit si Furlani, Ibra dhe të tjerët, për të ndërtuar një projekt fitues për sezonin e ardhshëm”, përfundoi ai.