Premierliga sqaron se pse Gabrieli nuk u ndëshkua me të kuq

- Bota Sot

Premierliga sqaron se pse Gabrieli nuk u ndëshkua me të kuq

Mbrojtësi i Arsenalit, Gabriel Magalhaes i ka shpëtuar kartonit të kuq në humbjen 2-1 të së dielës ndaj Manchester Cityt, pavarësisht një përplasjeje të nxehtë me Erling Haalandin.

Në një episod të diskutueshëm në pjesën e dytë, Gabriel u duk sikur e goditi me kokë sulmuesin norvegjez.

Megjithatë, gjyqtari Anthony Taylor i dha vetëm karton të verdhë, vendim që u mbështet edhe nga VAR-i i drejtuar nga John Brooks.

Premierliga më vonë konfirmoi zyrtarisht vendimin përmes një deklarate në rrjetin “X”, duke thënë se ndërhyrja e Gabrielit “nuk u konsiderua tepër agresive ose e dhunshme” për të justifikuar kartonin e kuq.

Vendimi shkaktoi shumë reagime. Ish-lojtari i Arsenalit Perry Groves tha se Gabriel “e ka shmangur një ndëshkim të rëndë”, duke shtuar se Haalandi u tregua i matur duke mos reaguar.

Edhe ish-trajneri i Newcastle Unitedit, Alan Pardew, u shpreh i habitur, duke kujtuar se ai vetë ishte ndëshkuar rëndë për një incident të ngjashëm në të kaluarën.

Ndërkohë, Haalandi vetë u tregua i kujdesshëm në deklaratë pas ndeshjes. Ai pranoi se ishte një situatë e tensionuar, por tha se nuk ishte i sigurt për vendimin e gjyqtarit dhe shtoi se nuk do të rrëzohej lehtë në raste të tilla, duke e lënë episodin me një ton diplomatik./



Lexoni të gjitha në Bota Sot