Milan po përgatitet për një merkato verore me objektiv kryesor afrimin e një sulmuesi të nivelit të lartë, teksa rikthimi i mundshëm në Champions League pritet të sjellë të ardhura të rëndësishme për klubin kuqezi.
Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, në krye të listës së dëshirave të Milanit për repartin ofensiv është ngjitur Alexander Sørloth, sulmuesi norvegjez i Atletico Madrid. Ai ka kaluar në renditje emra të mëdhenj si Robert Lewandowski dhe Dushan Vllahoviq, të cilët konsiderohen të kushtueshëm për parametrat financiarë të klubit.
Klubi spanjoll kërkon rreth 40 milionë euro për kartonin e tij, përfshirë bonuset, por shifra mund të ulet në 20–25 milionë euro në varësi të zhvillimeve të sezonit dhe formës së lojtarit në fund të kampionatit ose në kompeticionet ndërkombëtare.
Në këtë moment, Sørloth ka regjistruar 17 gola në 47 paraqitje në të gjitha kompeticionet dhe konsiderohet një profil i përshtatshëm për filozofinë e trajnerit Massimiliano Allegri, falë fizikut, aftësisë për të sulmuar hapësirat dhe fleksibilitetit për të luajtur edhe si sulmues i dytë apo në krah.
Milani e sheh atë si një opsion strategjik për të forcuar repartin ofensiv dhe për të ndërtuar një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm.