Trumçi: Një festë futbolli mes dy Shkëndijave, por synimi ynë mbetet finalja

- Bota Sot

Trumçi: Një festë futbolli mes dy Shkëndijave, por synimi ynë mbetet finalja

Mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës Aleksandar Trumçi flet para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku Shkëndija jonë pret në Tetovë Shkëndijën e Haraçinës.

Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës ndërmjet Shkëndijës dhe Shkëndijës së Haraçinës luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00.

…ballafaqimi vëllazëror…

Aleksandar Trumçi: “Mendoj se si fillim kjo është një ndeshje vëllazërore ku përballen dy Shkëndijat në një gjysmëfinale Kupe. Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe interesante, si për ne lojtarët, ashtu edhe për publikun. Unë personalisht e përjetoj si një atmosferë shumë të bukur, kur publiku ka festë, edhe ne në fushë ndihemi mjaft mirë.”

…vlerësimi për Shkëndijën e Haraçinës…

Aleksandar Trumçi: “Mysafirin duhet ta respektojmë shumë sepse është një ekip i fortë që po bën shumë mirë në kategorinë e dytë dhe synon elitën. Kanë bërë paraqitje mjaft të mira dhe kanë lojtarë cilësorë në përbërje, prandaj ne duhet të jemi seriozë dhe të japim maksimumin për ta fituar këtë përballje.”

…shmangia e befasive…

Aleksandar Trumçi: “Në futboll ekzistojnë të tre rezultatet, por ne nuk duhet të lejojmë në asnjë moment të ketë befasi. Jemi të preokupuar dhe të vendosur për të marrë një rezultat sa më pozitiv që në ndeshjen e parë. E mira është që mos ta lëmë kualifikimin për në ndeshjen e kthimit, ndaj do të kërkojmë fitoren që nesër në fushën tonë.”

…atmosfera në tribuna…

Aleksandar Trumçi:Kur bëhen dy Shkëndija bashkë, patjetër që ka ‘flakë’ në aspektin pozitiv te publiku. Është një ndeshje që mezi pritet këtu në Tetovë dhe në Shkup, ndaj shpresoj që të bëjmë një performancë të mirë që t’ia vlejë kjo festë e madhe e futbollit”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot