Ish-mesfushori gjerman Toni Kroos ka folur për filozofinë e tij të futbollit dhe sekretin e suksesit gjatë karrierës së tij, duke theksuar rëndësinë e lojës kolektive dhe sakrificës për ekipin.
Ish-futbollisti i Real Madrid ka deklaruar se gjithmonë ka synuar të jetë lojtar ekipi, duke besuar se arritjet më të mëdha vijnë vetëm përmes bashkëpunimit në fushë.
“Sipas meje, gjithmonë kam qenë lojtar që mendoj për ekipin. E kam pasur të qartë se sukseset e mëdha arrihen vetëm duke luajtur si një grup i bashkuar,” ka thënë Kroos.
Ai ka shtuar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht marrëdhënie miqësore të ngushta mes të gjithë lojtarëve, por një kuptim të përbashkët të objektivave dhe sakrificës për skuadrën.
“Nuk do të thotë të kesh 11 apo 25 miq në skuadër. Nuk kam qenë kurrë në një ekip me 20 miq dhe kjo është e pamundur.
Por në ekipet ku kam fituar, kemi ditur kur duhet të jemi një ekip, të lëmë mënjanë egot dhe të përdorim cilësitë individuale për të mirën e përbashkët,” është shprehur ai.
Sipas Kroos, pikërisht ky mentalitet është çelësi për të fituar trofe të mëdhenj në futbollin modern, ku harmonia dhe balanca brenda skuadrës luajnë rol vendimtar.