Guardiola: Man City nuk duhet të humbasë fokusin para sfidës me Burnley-n

- Bota Sot

Guardiola: Man City nuk duhet të humbasë fokusin para sfidës me Burnley-n

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka folur për mediat në prag të përballjes ndaj Burnley, ndeshje e cila do të zhvillohet të mërkurën në mbrëmje.

“Qytetarët” synojnë të marrin kreun e tabelës në Premier League, teksa udhëtojnë drejt stadiumit “Turf Moor” për t’u përballur me një kundërshtar që lufton për mbijetesë.

Skuadra e Guardiolës vjen në këtë takim pas një fitoreje të rëndësishme 2-1 ndaj rivalëve për titull, Arsenal, duke e ngushtuar diferencën në vetëm tre pikë. Një fitore ndaj Burnleyt do t’i ngjiste në vendin e parë, mbi “Topçinjtë”.

Para ndeshjes, Guardiola theksoi rëndësinë e ruajtjes së fokusit maksimal, pavarësisht se City konsiderohet favorit i madh në këtë përballje.

“Folëm menjëherë pas ndeshjes, që të mos humbasim fokusin. Arsenal është në krye të tabelës dhe për momentin do të ishin kampionë,” u shpreh ai.

Trajneri spanjoll foli edhe për lodhjen e skuadrës, duke qenë se kalendari është i ngjeshur.

“Koha e rikuperimit është shumë më e shkurtër se në dy javët e fundit, vetëm dy ditë.

Prandaj duhet të shoh si janë lojtarët nga ana fizike. Ishte një ndeshje kërkuese, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht,” shtoi Guardiola.

Në fund, ai theksoi rëndësinë e ndeshjeve të mbetura në kampionat.

“Kemi edhe gjashtë ndeshje përpara. E dimë saktësisht çfarë do të ndodhë, nëse marrim rezultatin apo jo,” përfundoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot