Wengeri beson fuqishëm

- Bota Sot

Wengeri beson fuqishëm

Arsene Wengeri këmbëngul se Arsenali duhet të marrë zemër nga paraqitja sulmuese kundër Manchester Cityt dhe beson se ende nuk ka humbur gjithçka në garën për titullin e Premierligës.

Pas një sezoni ku kanë kryesuar për pjesën më të madhe, “Topçinjtë” mund të zbresin në vendin e dytë të mërkurën nëse skuadra e Pep Guardiolës fiton ndaj Burnleyt.

Humbja 2-1 në “Etihad” ishte e katërta radhazi në kampionat dhe ka shtuar frikën se forma e ekipit po bie pikërisht në momentin vendimtar.

Megjithatë, Wengeri u shpreh i inkurajuar nga loja sulmuese që tregoi Arsenali dhe i bëri thirrje trajnerit Mikel Arteta që të luajë më lirshëm në ndeshjet e mbetura.

Ai theksoi se edhe Manchester City ka përballje të vështira përpara, ndaj nuk është i bindur se ata do t’i fitojnë të gjitha ndeshjet.

“Besoj se Arsenali do ta fitojë ligën. E besoj thellësisht. Më duket logjike. Më pëlqeu mënyra si sulmuan me lojtarë si Eberechi Eze, Martin Odegaardi, Kai Havertzi dhe Noni Madueke. Manchester City nuk do të bëjë një fund sezoni perfekt”, tha ai.

Wengeri, i cili fitoi tre tituj të Premierligës gjatë periudhës së tij 22-vjeçare tek Arsenali, tha gjithashtu se i mungon futbolli.

“Më mungon çdo ditë. Kam trajnuar për 40 vite. Më mungon fusha, kontakti, komunikimi”, shtoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se gjithmonë ka parë përpara dhe nuk është lidhur me të kaluarën.

Pavarësisht rezultateve negative të fundit, Arsenali ende ka mundësi për një fund sezoni të madh, pasi i pret një gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit.

Pas humbjes ndaj Cityt, Arteta u shpreh i zhgënjyer.

“Ishte një rezultat shumë zhgënjyes dhe mënyra si ndodhi.

Bëmë një paraqitje shumë të mirë, u rikthyem nga disavantazhi dhe krijuam rastet më të mira, por nuk i shfrytëzuam”, tha spanjolli.

Ai shtoi se ndeshja u vendos nga momentet kyçe.

“Kur ata patën rastet, i shënuan. Ky ishte dallimi. Humbëm një mundësi për të fituar, por treguam karakter dhe nivel”, shtoi ai.

Arteta mbetet optimist për fundin e sezonit.

“Tani kemi edhe pesë ndeshje. Është si një kampionat i ri. Ata kanë një ndeshje më pak, ne kemi tre pikë më shumë – gara vazhdon”, e mbylli ai.

Arsenali rikthehet në aksion ndaj Newcastle Unitedit të shtunën, ndërsa gara për titull mbetet plotësisht e hapur./



Lexoni të gjitha në Bota Sot