Sulmuesi i Milan dhe i kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christian Pulisic, ka deklaruar se skuadra aktuale amerikane është më e forta nga të gjitha ku ai ka qenë pjesë deri më tash.
Pulisic është shprehur se cilësia e skuadrës jep arsye për optimizëm, sidomos pasi turneu do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Mund të them se po, është ekipi më i mirë ku kam luajtur. Kemi lojtarë që luajnë në nivelet më të larta dhe kemi shumë alternativa në çdo pozitë. Është një skuadër shumë e fortë”, ka thënë ai.
Skuadra amerikane, e udhëhequr nga trajneri Mauricio Pochettino, pritet të ketë në përbërje emra si: Folarin Balogun, Tim Weah, Weston McKennie e Tyler Adams.
Sipas Pulisic, kjo përzierje përvoje dhe cilësie e bën ekipin konkurrues.
Ai ka theksuar se qëllimi fillestar është kalimi i fazës së grupeve, ndërsa më pas skuadra do të ecë ndeshje pas ndeshje.“Skuadra është në gjendje të mirë. Tifozët duhet të jenë të entuziazmuar dhe të na mbështesin”, është shprehur Pulisic.