Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, është shprehur optimist se ylli i skuadrës, Jamal Musiala, shumë shpejt do të rikthehet në formën e tij më të mirë pas një periudhe të vështirë me lëndime.
Musiala e ka humbur pjesën më të madhe të sezonit pas një lëndimi gjatë një përplasje me portierin Gianluigi Donnarumma në Kupën e Botës për Klube verën e kaluar.
Megjithatë, ai është rikthyer në fushë në fillim të këtij viti dhe gradualisht po fiton më shumë minuta.
Kompany ka theksuar se mesfushori njëzet e tre vjeçar është në një fazë të mirë dhe shumë afër formës së tij optimale.
“Musiala është në një periudhë të mirë. Ai është përmirësuar fizikisht dhe është shumë afër nivelit të tij më të mirë. Pyetja është vetëm kur do të rikthehet ‘magjia’ e tij, dhe kjo do të ndodhë 100 për qind”, ka deklaruar trajneri.
Sipas tij, edhe në këtë fazë Musiala është shumë i rrezikshëm para portës kundërshtare. “Kur ai të jetë plotësisht i lirë në fushë, do të shohim një version edhe më të zhvilluar të tij dhe kjo më bën shumë të lumtur si trajner”, ka thënë tekniku belg.