Bashkimi Evropian mbetet i ndarë lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit për shkak të situatës në Gaza dhe dhunës në rritje në Bregun Perëndimor, e së fundmi luftën në Iran dhe kundër Hezbollahut në Liban.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas deklaroi se propozimi për pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes së asociimit BE–Izrael vazhdon të diskutohet, por nuk ka ende mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare.
Vende si Spanja, Irlanda dhe Sllovenia kërkuan masa më të ashpra, duke e cilësuar situatën në Gaza si të papranueshme. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe ministri i jashtëm Jose Manuel Albares kërkojnë ndryshim të marrëdhënieve me Izraelin, ndërsa Belgjika gjithashtu ka bërë thirrje për sanksione.
Nga ana tjetër, Gjermania kundërshton pezullimin e marrëveshjes, duke favorizuar dialogun diplomatik me Izraelin. Për shkak të këtyre ndarjeve, çdo vendim kërkon ose unanimitet për anulim të plotë ose një shumicë të gjerë për pezullim të pjesshëm.
Ndërkohë, organizata si Amnesty International kanë kritikuar ashpër BE-në, duke e akuzuar për “dështim moral” dhe mungesë veprimi përballë shkeljeve të të drejtave të njeriut. Në zhvillime paralele, BE planifikon të vendosë sanksione të reja ndaj Iran për shkak të kërcënimeve ndaj lundrimit në ngushticën e Hormuzit.
Debati pritet të vazhdojë, ndërsa presioni ndaj BE-së rritet si nga brenda ashtu edhe nga jashtë për të marrë një qëndrim më të qartë ndaj konfliktit.