Kompeticioni më masiv për klube, Kupa e Malit të Zi në futboll, po hyn në fazën përfundimtare.
Sot zhvillohen ndeshjet e para gjysmëfinale, të cilat pritet të jenë shumë interesante, pasi të katër skuadrat hyjnë në këto përballje me dëshirën për të siguruar finalen e madhe.
Ndeshjet - sot
Otrant-Olimpik – Deçiqit (16:30)
Mornari – Jezero (20:30)
Përballlja shqiptare luhet në Ulqin mes Otrant-Olimpik dhe Deçiqit nga Tuzi, ndërsa në stadiumin “Topolica” në Tivar përballen Mornari dhe Jezero.
Otrant-Olimpik është i vetmi klub nga liga e dytë mes gjysmëfinalistëve. Skuadra nga Ulqini ka eliminuar fillimisht Rudarin e Plevlës dhe më pas Petrovacin, ndërsa tani do të provojë të bëjë befasi edhe ndaj Deçiqit.
Mesfushori i Otrantit, Lazar Lambuliq, tha se skuadra e tij është e vetëdijshme për vështirësinë e ndeshjes:
“Para nesh është një ndeshje kërkuese.
Deçiqi është skuadër shumë e mirë, i respektojmë maksimalisht, por kjo nuk do të na pengojë të tregojmë çfarë dimë.
Jemi gati, në atmosferë të mirë dhe shpresojmë në stadium të mbushur dhe përkrahje të madhe nga tifozët tanë”.
Në letër, skuadra nga Tuzi, Deçiqi, konsiderohet favorite.
Mesfushori Andrej Bajoviq theksoi:
“Na pret një atmosferë e mirë dhe një ndeshje e vështirë. Jemi favoritë dhe duhet ta tregojmë këtë në fushë. Nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët, por besojmë edhe në cilësitë tona.
Edhe pse luhen dy ndeshje, kësaj të sotmes i qasemi sikur të jetë finale”.