Guardiola i përgjigjet Rooneyt

- Bota Sot

Guardiola i përgjigjet Rooneyt

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të Wayne Rooney-t për festimet e skuadrës pas fitores 2-1 ndaj Arsenalit në Premier League.

Rooney kishte vlerësuar se reagimi i lojtarëve të City-t ishte i tepruar, duke përmendur momentet e festës së portierit Gianluigi Donnarumma me tifozët, hyrjen e stafit teknik në fushë dhe festimin e Erling Haalandit pa fanellë, si dhe duke sugjeruar se dukej sikur skuadra kishte fituar titullin.

Pa e përmendur drejtpërdrejt Rooney-n, Guardiola u përgjigj me tone të forta: “Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, gjëra të kota, idiotësira, por ata festuan sepse e dinin vlerën e kundërshtarit”.

Trajneri spanjoll theksoi rëndësinë e ndeshjes: “E dinin që nëse nuk fitonim, do të ishim jashtë garës.

Fituam dhe ende jemi në luftë. Si mund të mos festonin?”. Ai shtoi se çdo lojtar ka të drejtë të gëzojë momentin:

“Pse të presësh deri në fund të sezonit për të festuar? Futbolli është për të jetuar momentin”.

Guardiola vazhdoi duke mbrojtur emocionet e lojtarëve të tij: “Ka kuptim vetëm të festosh nëse fiton gjithçka? Dhe nëse humbet, duhet të qash gjithë kohën? Jo. Ishte një ndeshje si finale për ne dhe e fituam, ndaj ishte normale të festonim”.

Sipas tij, çdo lojtar dhe staf e dinte rëndësinë e sfidës: “Për ne ishte një finale, ndoshta jo për të tjerët, por për ne po, dhe duhej ta festonim”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot