ORCA kërkon anulimin e procesit për përzgjedhjen e Bordit të AKA-së, e cilëson të komprometuar

- Bota Sot

ORCA kërkon anulimin e procesit për përzgjedhjen e Bordit të AKA-së, e cilëson të komprometuar

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), duke vlerësuar se i gjithë procesi është komprometuar nga fillimi deri në fund.

Sipas ORCA-s, zhvillimet e fundit dhe informacionet e grumbulluara hedhin dyshime serioze mbi integritetin e vendimmarrjes në një institucion kyç për arsimin e lartë në vend.

Procesi kishte nisur me shpalljen e thirrjes publike për nominimin e tre anëtarëve vendorë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, përkatësisht për fushat e Shkencave Mjekësore, Shkencave Humane dhe një përfaqësues nga radhët e studentëve. ORCA vlerëson se afati prej vetëm tetë ditësh kalendarike për aplikim ka qenë tepër i shkurtër për një proces me rëndësi të lartë publike.

Sipas reagimit, shqetësimet janë shtuar edhe më tej pasi komisioni vlerësues është mbledhur më 20 prill 2026 dhe brenda 48 orëve ka përfunduar vlerësimin e të gjithë kandidatëve që kishin aplikuar. ORCA thotë se ky ritëm është i paprecedentë dhe ngre dyshime serioze për seriozitetin dhe thellësinë e vlerësimit.

ORCA pretendon se vlerësimi është bërë pa një metodologji të qartë dhe të standardizuar, duke reflektuar mospërputhje të mëdha në trajtimin e kandidatëve. Sipas saj, në disa raste kandidatët janë penalizuar për faktin se kanë fituar tituj akademikë në institucione private, ndërsa kandidatë të tjerë, pa tituj akademikë, janë vlerësuar më lart.

Po ashtu, organizata thekson se një kandidat pothuajse është diskualifikuar për një lëshim teknik të vogël, i cili, sipas saj, do të mund të korrigjohej lehtësisht nëse do të kërkohej nga komisioni. Kjo qasje, sipas ORCA-s, po shihet si selektive dhe e pabarabartë, me qëllim që t’u hapet rrugë kandidaturave të caktuara, përfshirë atë të Driton Velës.

Dyshime të tjera, sipas ORCA-s, lidhen edhe me trajtimin e raportit final të komisionit, i cili i është dërguar ministrit të linjës me emrat e rekomanduar për përzgjedhje në bord. Organizata thotë se nuk është e qartë nëse raporti është nënshkruar nga vetë anëtarët e komisionit apo nëse ata kanë nënshkruar vetëm një dokument përcjellës.

Më tej, ORCA pretendon se përfaqësues të ministrisë kanë marrë përsipër hartimin e raportit dhe dërgimin e tij në Qeveri në mënyrë urgjente, gjatë natës së 21 prillit 2026, rreth orës 23:00, me qëllim përshpejtimin e procedimit në komisionet parlamentare dhe më pas në Kuvend.

Sipas ORCA-s, e gjithë kjo urgjencë është arsyetuar me pretendimin se Bordi i Agjencisë rrezikon të mbetet pa kuorum për vendimmarrje në muajt në vijim. Megjithatë, organizata thotë se përbërja aktuale e Bordit garanton funksionimin normal të tij edhe për të paktën dy vite të tjera, duke e cilësuar këtë arsyetim si të pabazuar dhe të qëllimshëm.

ORCA paralajmëron gjithashtu se kjo situatë rrezikon drejtpërdrejt anëtarësimin e AKA-së në ENQA dhe pozitën e saj në EQAR. Sipas saj, ndërhyrjet politike, mungesa e transparencës dhe shkeljet procedurale janë pikërisht arsyet që në të kaluarën kanë çuar në përjashtimin e agjencisë nga këta mekanizma ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë.

“Nëse ky proces vazhdon në këtë formë, ekziston rreziku real që të vihet në pikëpyetje kredibiliteti ndërkombëtar i AKA-së dhe, rrjedhimisht, njohja e diplomave dhe cilësia e arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet në reagim.

Në fund, ORCA ka kërkuar që procesi të anulohet menjëherë dhe të nisë një procedurë e re, e bazuar në transparencë, meritë dhe respektim të plotë të standardeve ligjore. Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje organeve të rendit që ta hetojnë çështjen deri në fund, për të garantuar llogaridhënie dhe përgjegjësi eventuale penale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot