Italia ka thirrur ambasadorin rus në Romë pas një incidenti diplomatik, pasi një prezantues i televizionit rus ka bërë fyerje të rënda ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Sipas mediave italiane, prezantuesi Vladimir Solovyov gjatë një emisioni televiziv e ka sulmuar dhe ofenduar ashpër Melonin, duke përdorur fjalë shumë të rënda dhe akuza personale ndaj saj.
Menjëherë pas këtyre deklaratave, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani thirri ambasadorin rus në Itali për të bërë një protestë zyrtare dhe për të kërkuar sqarime për gjuhën e përdorur ndaj kryeministres.
Edhe politika italiane ka reaguar fort. Si përfaqësues të qeverisë, ashtu edhe të opozitës, i kanë dënuar këto fyerje, duke thënë se janë të papranueshme dhe nuk mund të tolerohen ndaj institucioneve të shtetit.
Autoritetet italiane kanë theksuar se sulmet personale ndaj liderëve politikë dëmtojnë marrëdhëniet mes vendeve. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Italisë dhe Rusisë mbeten të tensionuara, sidomos për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me luftën në Ukrainë.