Luis Enrique: Mora përgjigje pozitive nga ata që kanë luajtur pak

- Bota Sot

Luis Enrique: Mora përgjigje pozitive nga ata që kanë luajtur pak

PSG është shkëputur 4 pikë në renditjen e Ligue 1 falë një fitoreje të thellë 3-0 ndaj Nantes, me pesë ndeshje të mbetura, përfshirë sfidën kokë më kokë ndaj Lens.

Kjo është një fitore e rëndësishme, si për sa i përket renditjes në ligë ashtu edhe reagimeve pozitive nga fusha.

Trajneri Luis Enrique theksoi rëndësinë e rezultatit dhe performancës së ekipit: “Jam veçanërisht i lumtur. Jo vetëm për fitoren, e cila është thelbësore në këtë kohë, por edhe për performancën e atyre që luajnë më pak.

Po mendoj për Beraldo, Dro dhe Mbaye: ata kanë treguar nivelin e tyre”.

“Është e rëndësishme të tregojmë se mund të jemi konkurrues si ekip, pavarësisht se kush luan“, deklaroi trajneri spanjoll, që sheh drejt garës për titull:

“Një epërsi prej katër pikësh është pozitive, por gjithçka do të jetë shumë e barabartë. Lens ka treguar qëndrueshmëri të shkëlqyer gjatë gjithë sezonit.

Jemi të sigurt, por pjesa më e vështirë ende nuk ka ardhur.”

Ndër momentet kryesore të mbrëmjes ishte Khvicha Kvaratskhelia, i cili shënoi dy herë dhe është në një formë të jashtëzakonshme.

“Nuk po flas për cilësitë e tij; të gjithë i njohin ato. Po flas për karakterin e tij: ai punon, mbrohet dhe sakrifikon veten. Kjo është thelbësore për mua“.



Lexoni të gjitha në Bota Sot