Kanë mbetur më pak se një muaj nga fillimi i Kupës së Botës, e cila organizohet në ShBA, Meksikë dhe Kanada.
Kampionati Botëror do të nis me 11 qershor dhe përfundon më 19 korrik.
Por ekziston rreziku që disa prej ndeshjeve të vonohen për disa orë apo edhe të ndërpriten, për shkak të stuhive, kjo pasi temperaturat e larta, lagështia e lartë dhe stuhitë e forta dhe rrufetë janë të zakonshme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.
Këto mund të shkaktojnë vonesa ose ndryshime në oraret fikse të fillimit.
Moti në Kupën e Botës 2026 mund të ndikojë ndjeshëm jo vetëm në performancën e lojtarëve, por edhe në orarin e ndeshjeve, komoditetin e tifozëve dhe organizimin e përgjithshëm të turneut.
Vëmendja më e madhe aktualisht përqendrohet në SHBA, ku zbatohen rregulla strikte sigurie kur rrufeja godet stadiumet.
Në SHBA, ekziston një protokoll sigurie që kërkon që ngjarjet sportive të ndalohen menjëherë nëse sensorët meteorologjikë zbulojnë rrufe brenda një rreze prej 13 kilometrash nga stadiumi.
Në atë pikë, i gjithë aktiviteti ndalet, spektatorëve mund t’u kërkohet të largohen nga tribunat dhe ka një pushim minimal prej 30 minutash. Nëse një goditje tjetër rrufeje ose shenja të tjera aktiviteti ndodhin gjatë kësaj kohe, numërimi mbrapsht kthehet në zero.