Qendrat e dëbimit në shtete jashtë BE-së mund të lejohen

- Bota Sot

Qendrat e dëbimit në shtete jashtë BE-së mund të lejohen

Qëllimi fillestar i qeverisë së Giorgia Melonit për të zhvilluar procedura të shpejta azili në Shqipëri konsiderohet si i dështuar. Gjykatat italiane e konsiderojnë këtë gjë si të palejueshme. Reagimi i Melonit ishte që dy qendrat e azilit që Italia ka ndërtuar në Shqipëri të përdoren në vend të kësaj për të mbajtur në paraburgim deri në dëbim azilkërkuesit e refuzuar.

Edhe kjo formë ndalimi jashtë territorit të Italisë konsiderohet e paligjshme nga gjykatat italiane. Për këtë arsye, ato i kanë kaluar disa raste tek Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Tani Avokati i Përgjithshëm pranë kësaj gjykate ka dhënë vlerësimin e tij. Ai është një lloj eksperti i pavarur, i cili pas shqyrtimit të çështjes jep një opinion mbi të.

Modeli i "kampeve si në Shqipëri” i lejueshëm, por me kushte

Sa i përket ndalimit të personave në pritje të dëbimit, Avokati i Përgjithshëm nga Qiproja, Nikolas Emilu, vlerëson se qendrat e dëbimit jashtë një shteti të BE-së mund të jenë të lejueshme. Megjithatë kusht është që migrantëve tu garantohen të gjitha të drejtat që kërkon e drejta e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin veçanërisht: mbështetje ligjore nga avokatë dhe përkthyes, kontakt me familjen dhe me autoritetet përgjegjëse.

Fëmijët dhe personat e sëmurë duhet gjithashtu të kenë akses në arsim dhe shërbime shëndetësore.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës azilkërkuesit duhet të qëndrojnë në një shtet të BE-së

Avokati i Përgjithshëm u shpreh edhe për një çështje të dytë: a mund të mbahen në paraburgim jashtë një shteti të BE-së, për shembull në kampet në Shqipëri, azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë ende në shqyrtim?

Vlerësimi i tij është se, në parim, azilkërkuesit duhet të qëndrojnë në një shtet të BE-së gjatë kohës që shqyrtohen kërkesat e tyre. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë automatike të kthehen në territorin e BE-së nëse ndodhen tashmë në një nga kampet në Shqipëri dhe janë në ndalim.

Gjithsesi, edhe në këto qendra duhet të garantohet mbrojtja ligjore e tyre. Paraburgimi për dëbim duhet të shqyrtohet shpejt nga gjykatat, në mënyrë që të shmanget çdo ndalim i paligjshëm.

Vlerësimi i Avokatit të Përgjithshëm ka peshë

Në shumë raste Gjykata Evropiane e Drejtësisë ndjek rekomandimet e Avokatit të Përgjithshëm. Megjithatë, ajo nuk është e detyruar ti ndjekë ato dhe mund të vendosë edhe ndryshe. Kjo ka ndodhur edhe më parë në disa çështje azili.

Prandaj ka mundvsi që instanca më e lartë gjyqësore e Bashkimit Evropian të mbajë një qëndrim më kritik ndaj qendrave të azilit jashtë BE-së. Vendimi përfundimtar pritet të merret brenda disa muajve. / DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot