Juventusi kërkon t’ia rrëmbejë Jasharin Milanit

- Bota Sot

Juventusi kërkon t’ia rrëmbejë Jasharin Milanit

Juventusi po shqyrton mundësitë për përforcime në mesfushë gjatë afatit kalimtar të verës, me trajnerin Luciano Spalletti që kërkon alternativa shtesë përkrah Manuel Locatellit. Përveç emrave të tjerë në qarkullim, në listën e bardhezinjve është rikthyer edhe interesi për Ardon Jasharin.

Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori aktual i Milanit është një nga opsionet që po vlerësohen nga drejtuesit e klubit torinez. Juventusi kishte shfaqur interes për Jasharin edhe sezonin e kaluar, kur ai ishte pjesë e Club Brugge, por në fund gara u fitua nga skuadra kuqezi.

Jashari, i lindur në vitin 2002, u transferua te Milani për një shumë prej rreth 36 milionë eurosh, plus bonuse. Megjithatë, sezoni i tij i parë në Serie A është shoqëruar me vështirësi, pasi një dëmtim i rëndë e mbajti jashtë fushave për disa muaj, duke kufizuar ndjeshëm minutazhin e tij.

Deri më tani, ai ka regjistruar pak paraqitje dhe nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacion, çka mund të ndikojë në të ardhmen e tij. Në varësi të zhvillimeve në merkato dhe rolit të tij te Milani, nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të shqyrtojë opsione të reja, me Juventusin që mbetet një nga klubet e interesuara.



Lexoni të gjitha në Bota Sot