Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka cilësuar të ndjerin Qosja si zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i së vërtetës.
“Akademik Qosja ishte më shumë se një shkrimtar. Ai ishte një institucion në vete, një zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe një mbrojtës i palëkundur i së vërtetës. Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe kulturës sonë. Ajo përmban një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Veprimtaria e tij shumëdimensionale si studiues, shkrimtar, kritik letrar dhe mendimtar publik përfaqëson arritje të rëndësishme të kulturës shqiptare bashkëkohore. Ai ndërtoi një opus të gjerë dhe të qëndrueshëm, i cili jo vetëm pasuroi fondin tonë shkencor e letrar, por edhe kontribuoi në frymëzimin e vetëdijes sonë kombëtare në periudha vendimtare historike.
Trashëgimia e tij do të mbetet një udhërrëfyes i çmuar, një pasuri e mendimit, e krijimtarisë dhe integritetit që do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë. Vepra e tij do të vazhdojë të jetë si një referencë e rëndësishme e dijes dhe si një burim frymëzimi për studiuesit, krijuesit dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e mendimit të lirë.
Akademik Qosja mishëroi në mënyrë të denjë figurën intelektuale të angazhuar, të përkushtuar ndaj së vërtetës dhe të palëkundur në mbrojtje të vlerave themelore të shoqërisë. Ai mbeti gjithmonë konsekuent në mendimin e tij, duke dëshmuar integritet të lartë dhe guxim qytetar edhe në rrethana kur fjala e lirë kërkonte sakrificë”, tha Shiroka Pula.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për Qosjen tha se nuk i druhej polemikës dhe se ishte luftëtar i pendës i cili u bë zëdhënës i popullit të ndaluar.
“Ai u dallua si kritik letrar, eseist dhe intelektual publik duke kontribuar në mënyrë të thellë në analizën e identitetit kombëtar, historisë dhe zhvillimit të letërsisë shqipe.
Ai mbrojti vazhdimisht rëndësinë e kulturës si bazë të vetëdijes kombëtare dhe si instrument për emancipim shoqëror, duke ndikuar në formimin intelektual të brezave të tërë në hapësirën shqiptare. Rexhep Qosja ishte modeli i intelektualit publik. Puna e tij shkencore ishte e pandarë nga angazhimi për identitetin kombëtar, shtetësinë e Kosovës dhe bashkimin shqiptar.
Studimet e tij për rilindasit, sidomos vepra ‘Porosia e Madhe’ kushtuar poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, apo studimet për Asdrenin e të tjerë, ndihmuan jashtëzakonisht shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Studimet e Rexhep Qosjes dhe kolegëve të tij për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatitën dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 dhe më pas 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar.
Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik i intelektualit shqiptar. Ai denoncoi shtypjen jugosllave dhe serbomadhe, gënjeshtrat dhe propagandën e atyre intelektualëve serbë që do të shkruanin e përkrahnin Memorandumin famëkeq të Akademisë Serbe nga viti 1986, dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet që Serbia do të ndërmerrte në vitet e 90-ta.
Ai u bë zëdhënësi i popullit të ndaluar, siç titullohej një prej veprave të tij të shumta, dhe kjo ishte një përmbledhje e polemikave të tij me intelektualët jugosllavë të kohës. Profesor Rexhep Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981 që u bënë demonstrata gjithëpopullore, e madje posaçërisht kur vala e tyre dukej se kishte rënë.
Në vitin 1985, ai rikonfirmoi brenda vetë atij sistemi, pra në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, në prill të vitit 1985, shtypjen që ushtrohej nga regjimi serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve. Aty ai u foli pjesëmarrësve në gjuhën e tyre, siç tha: ‘jo nga frika se mos e quanin autoqefal, por që ta kuptonin të gjithë’, sepse në gjuhën e tyre ai do të shpaloste megjithatë qenien shqiptare dhe gjendjen e trupit e të shpirtit të saj.
Aty ai demaskoi procesin e diferencimit të ushtruar nga Lidhja e Komunistëve me ndihmën e shërbimeve sekrete e të aparatit të dhunës. Mes 14 pikave se çka do të thotë me qenë intelektual shqiptar në Kosovë, ai thekson se kjo do të thotë me iu frikësuar fjalës ‘diferencim’, po aq sa intelektualët e Mesjetës i frikësoheshin fjalës ‘Inkuizicion’.
Qosja nuk i druhej polemikës. Ai ishte luftëtar i pendës, artikulues i palodhur i ideve dhe këmbëngulës në mendimet e veta. Ai shkruante dhe fliste për zhvillimet politike në trojet shqiptare, si për qëndresën paqësore në Kosovë, si për zhvillimet demokratike në Shqipëri e në Maqedoni. Ai argumentonte se rilindja demokratike e shqiptarëve pas rënies së regjimeve komuniste dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, kishte plot pikëtakime me Rilindjen tonë Kombëtare dhe se tani, si atëherë, duheshin synuar si zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, po ashtu edhe orientimi ynë nga qytetërimi perëndimor.”, tha Kurti.
Anila Hoda sekretare shkencore në Akademinë e Skencave dhe Arteve të Shqipërisë, THA SE Rexhep Qosja ishte një erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur.
“Me emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave, të asamblesë së saj dhe tërë komunitetit shkencor në Shqipëri, kam nderin dhe njëkohësisht me dhimbje të thellë t’ju përcjell ngushëllimet tona për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja. Një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar.
Akademik Rexhep Qosja ishte një erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e mendimit shkencor, letrar dhe politik të botës shqiptare. Për më shumë se gjysmë shekulli, ai ishte një zë i fuqishëm në jetën intelektuale dhe publike duke u shndërruar në një nga figurat më përfaqësuese të vetëdijes sonë kombëtare. Ai njihet gjerësisht si një nga zërat më të fortë në debatet publike shqiptare duke trajtuar me guxim dhe përgjegjësi çështjet themelore të identitetit kombëtar, historisë, kulturës dhe zhvillimeve politike në Kosovë e Shqipëri.
Angazhimi i tij qytetar dhe atdhetar për demokracinë, shtetin ligjor dhe marrëdhëniet ndërshqiptare u shpreh përmes një veprimtarie të gjerë studimore e publicistike. Si drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, profesor Rexhep Qosja kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e albanologjisë dhe në artikullimin e ideve për liri, pavarësi dhe identitet kulturor. Njëkohësisht, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ai u shqua ndër dekada si një ndër studiuesit më të rëndësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe të kritikës moderne, duke dhënë një kontribut të vyer në jetën akademike dhe në zhvillimin e kërkimit shkencor.
Po aq e rëndësishme është edhe krijimtaria e tij letrare, e cila dëshmon për një romancier, eseist me ndjeshmëri të thellë artistike dhe vizion modern, ku trajtohen në mënyrë shumëdimensionale temat kombëtare dhe ato shoqërore. Angazhimi i tij në çështjen kombëtare dhe në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës është i pashembullt. Pjesëmarrja në konferencën e Rambujesë si anëtar i delegacionit shqiptar, si dhe roli i tij në argumentimin dhe përfaqësimin me qëndrimet shqiptare në një moment vendimtar historik dëshmojnë për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në proceset që përcaktuan zhvillimin e zhvillimet e mëtejshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në vlerësim të këtij kontributi kolosal, Akademia e Shkencave Shqiptare ka patur nderin ta zgjedhë anëtar të jashtëm të saj, si shenjë mirënjohje për rolin e ndikimin e tij të shquar në zhvillimin e shkencës, dijes e të kulturës në Shqipëri. Ndaj në këto momente dhimbjeje e humbjeje të pazëvendësueshme, ne ndajmë dhimbjen me familjen e tij, me kolegët dhe gjithë komunitetin akademiko-kulturor në Kosovë e më gjerë.
Kujtimi, vepra dhe kontributi i akademikut Rexhep Qosja do të mbeten të përhershëm në fondin e kulturës dhe të shkencës shqiptare dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë”, tha Hoda.