Falë fitores së merituar ndaj Leverkusen, Bajerni përmbushi të mërkurën në mbrëmje një dëshirë që e kishte shprehur gjatë muajve të fundit: rikthimin në finalen e Kupës së Gjermanisë pas më shumë se pesë vitesh.
Fitorja ndaj Leverkusenit i jep Bajernit një shtysë të madhe morale për sfidat vendimtare që e presin në fundin e sezonit.Trajneri Vinsent Kompani ndau mendimin e tij pas ndeshjes: “Pjesa e parë ishte shumë e mirë, nuk lejuam asgjë dhe krijuam raste përpara.
Pastaj Leverkusen hyri më mirë në lojë. Por edhe atëherë, në përgjithësi, prapë nuk lejuam pothuajse asgjë,” tha Vinsent Kompani.
Fakti që arritja në finalen e Berlinit është diçka e veçantë edhe për rekordmenët e kupës (20 tituj), sidomos pasi është hera e parë që nga viti 2020, u konfirmua nga disa lojtarë të Bajernit.
“Ne duam edhe një finale tjetër,” tha Kejn, duke iu referuar Ligës së Kampionëve, ku Bajerni do të përballet me PSG në ndeshjen e parë gjysmëfinale të martën e ardhshme (ora 21:00). “Por të tjerët më kanë thënë shpesh që finalja në Berlin është një eksperiencë e jashtëzakonshme,” shtoi 32 vjeçari. Manuel Nojer e konfirmoi këtë: “Më ka munguar Berlini. Ndeshjet atje kanë qenë gjithmonë të jashtëzakonshme dhe është një ditë e veçantë për gjithë klubin.”
Kompani madje zbuloi se Kupa e Gjermanisë kishte qenë temë diskutimi që nga dita e parë e tij si trajner i Bajernit. “Duket sikur që nga dita ime e parë në klub, objektivi ka qenë të kthehemi në Berlin.
Është shumë bukur që më në fund e arritëm këtë.”
Megjithatë, Kompani synon të vazhdoj me qasjen ndeshje pas ndeshjeje.
Ne kemi fituar tashmë një trofe dhe kjo është ajo që ka rëndësi.
Por nuk dua të ndryshoj mënyrën tonë të punës. E njohim pak PSG tashmë, pasi kemi luajtur shpesh kundër tyre. Edhe ndeshja tjetër është e rëndësishme,” tha belgu, duke iu referuar ndeshjes së Bundesligës ndaj Mainz të shtunën (ora 15:30), edhe pse titulli kampion në Gjermani u sigurua që të dielën e kaluar.