Agjenti i Muriqit hedh poshtë zërat për largim: I fokusuar te Mallorca

- Bota Sot

Agjenti i Muriqit hedh poshtë zërat për largim: I fokusuar te Mallorca

Spekulimet për një kalim të mundshëm të Vedat Muriqit te Barcelona janë minimizuar nga agjenti i tij, Utku Cenikli, i cili ka theksuar se sulmuesi mbetet i përkushtuar tek Mallorca.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është përfolur si një opsion për repartin ofensiv të Barcelonës në afatin veror, por sipas përfaqësuesit të tij, aktualisht nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Agjenti bëri të ditur se së fundmi ka ndjekur nga afër paraqitjen e Muriqit në ndeshjen ndaj Valencia, duke nënvizuar se fokusi i lojtarit mbetet te përfundimi sa më i suksesshëm i sezonit.

“E kam parë nga afër dhe mund të them se nuk ka asnjë zhvillim konkret për ndonjë transferim të mundshëm. Ai është një lojtar i dëshmuar dhe shumë i vlerësuar në Mallorca,” është shprehur Cenikli.

Ai shtoi se, pavarësisht interesimit nga klube të ndryshme, Muriqi është plotësisht i përqendruar te skuadra e tij aktuale dhe mbetet besnik ndaj klubit me të cilin ka kontratë deri në vitin 2029.

“Ka interesim për të, sepse po kalon një sezon shumë të mirë, por në këtë moment është totalisht i fokusuar te Mallorca,” theksoi agjenti.

Ndryshe, pak ditë më parë mediat e huaja kanë raportuar se Muriqi ka arritur marrëveshje personale me ish-klubin e tij, Fenerbahçe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot