Skandal në vijën e frontit të luftës në Ukrainë, ushtarët ukrainas mbeten pa ushqim e ujë, shkarkohet komandanti

- Bota Sot

Skandal në vijën e frontit të luftës në Ukrainë, ushtarët ukrainas mbeten pa ushqim e ujë, shkarkohet komandanti

Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Ukrainë, pasi disa foto të publikuara në rrjetet sociale tregojnë ushtarë të dobësuar ekstremisht në vijën e frontit, për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit.

Pamjet u publikuan nga bashkëshortja e njërit prej ushtarëve, e cila tregoi gjendjen e rëndë të tyre pas muajsh të tërë në kushte të vështira. Në foto, katër ushtarë shfaqen të zbehtë në fytyrë dhe të kequshqyer, si dhe nënpeshë. “Kur ​​ata mbërritën në vijën e frontit, peshonin mbi 80-90 kg. Por tani peshojnë rreth 50 kg”, shkruan krahas fotos gruaja e një prej ushtarëve.

Sipas dëshmive të familjarëve, ushtarët kishin qëndruar për rreth tetë muaj në vijën e parë pranë Kupianskut, në verilindje të Ukrainës, duke mbrojtur një zonë të rrezikuar. Furnizimet me ushqim dhe ilaçe, sipas tyre, ishin shumë të kufizuara dhe shpesh mungonin për ditë të tëra.

Një nga rastet më të rënda, sipas familjarëve, ishte qëndrimi deri në 17 ditë pa ushqim. Ushtarët detyroheshin të pinin ujë shiu ose të shkrinin borë për të mbijetuar.

Pas publikimit të këtyre pamjeve, autoritetet ukrainase reaguan duke shkarkuar komandantin përgjegjës për logjistikën dhe furnizimin e trupave. Shtabi i Përgjithshëm konfirmoi se është emëruar një komandant i ri dhe se është hapur një hetim për rastin.

Nga ana e ushtrisë u pranua se ka pasur probleme serioze logjistike, duke theksuar se furnizimet në atë zonë janë shumë të vështira për shkak të afërsisë me forcat ruse. Sipas një zëdhënësi, dërgesat kryhen kryesisht me dronë, pasi çdo lëvizje në tokë është e rrezikshme.

Ndërkohë, familjarët raportojnë se situata ka nisur të përmirësohet pas ndërhyrjes së autoriteteve. Ushtarët kanë marrë furnizime dhe ushqim, megjithëse në sasi të kufizuara.

Ata kërkojnë që të bëhet rotacion i trupave dhe që ushtarët e lodhur të marrin trajtim mjekësor sa më shpejt.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se, nëse kushtet e lejojnë, do të kryhet edhe evakuimi i ushtarëve nga zona e rrezikut.



Lexoni të gjitha në Bota Sot