Endrit Krasniqi: Shkëndija nuk ka interes të merret me ekipet e tjera

- Bota Sot

Endrit Krasniqi: Shkëndija nuk ka interes të merret me ekipet e tjera

Të hënën në Tetovë (16:00), Shkëndija synon fitoren në xhiron e 29-të të elitës, derisa mesfushori nga Kosova beson se skuadra do të jetë në lartësinë e duhur. 

KF Shkëndija rikthehet në aksion të hënën në Tetovë, ku përballet me KF Bashkimin e Kumanovës në kuadër të xhiros së 29-të në elitën e futbollit të vendit. Në një moment vendimtar të sezonit, kuqezinjtë hyjnë në këtë duel me objektiv të qartë, vetëm fitoren në rrugëtimin drejt titullit kampion.

Pesë ndeshje kanë mbetur deri në fund dhe çdo përballje është jetike për skuadrën, që kërkon të ruajë ritmin dhe të përmbushë synimin final. Përballë do të jetë një ekip që lufton për mbijetesë, por brenda kampit kuqezi fokusi mbetet i pandryshuar.

Mesfushori ofensiv i skuadrës tonë Endrit Krasniqi thekson se ekipi nuk merret me pozitat e ekipeve rivale, por është i përqendruar vetëm te objektivi i vet.

“Unë mendoj që Shkëndija nuk ka interes të merret me ekipet e tjera se në çfarë pozite janë. Ne jemi duke luftuar për titullin kampion dhe do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund, kështu që besoj që edhe atë do ta arrijmë,” thotë Krasniqi.

“Bashkimit i urojmë që pas ndeshjes sonë të ketë fitore dhe të mbetet në ligë, por neve na intereson vetëm fitorja,” deklaroi mesfushori.

Atmosfera në Tetovë pritet të jetë e zjarrtë, me një numër të madh tifozësh në tribuna, përfshirë edhe mbështetës nga Kumanova.

Në këtë drejtim, mesfushori vlerëson rolin e tifozëve kuqezi si një shtysë e rëndësishme për ekipin.

‘Ballistët’ për ne janë një përkrahje shumë e madhe, kështu që i ftoj të vijnë në numër sa më të madh dhe të na përkrahin, që së bashku të arrijmë qëllimin që kemi”, - shtoi ai.

Dueli i së hënës nuk sjell vetëm rëndësi garuese, por edhe një dimension emocional, duke pasur përballë dy skuadra shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

“Është një ndjenjë shumë e mirë kur përballesh me ekipe shqiptare këtu, por siç e thashë, për ne mbi të gjitha është fitorja”, - përfundoi Krasniqi.

Shkëndija synon të vazhdojë me hap të sigurt drejt objektivit final, duke kërkuar mbështetjen maksimale nga tribunat në një tjetër ndeshje me peshë të madhe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot