Dëmtim i rëndë në shpatull, Tirana humb një sulmues për pjesën e mbetur të sezonit

- Bota Sot

Dëmtim i rëndë në shpatull, Tirana humb një sulmues për pjesën e mbetur të sezonit

Tirana humbet një opsion për sulmin. Sulmuesi Etien Tare ka pësuar një dëmtim në shpatull dhe ka mbyllur sezonin. Lajmin e ka konfirmuar vetë ai përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

I riu nuk e fsheh zhgënjimin dhe dhimbjen se nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë Tiranën në misionin për të mbijetuar në Kategorinë Superiore në këtë sezon.

POSTIMI I TARES – Për të gjithë tifozët e Tiranës. Dua të ndaj me ju disa lajme të këqija. Pas vlerësimeve mjekësore, fatkeqësisht kam pësuar një dëmtim në shpatull që kërkon kohë për rikuperim.

Për këtë arsye, nuk do të mund të vazhdoj të luaj për pjesën e mbetur të këtij sezoni futbollistik. Kjo është shumë e vështirë për mua ta pranoj, pasi gjithmonë dua të jem në fushë duke dhënë maksimumin për ekipin dhe për ju. Por tani për tani, fokusi im duhet të jetë te shërimi dhe rikthimi më i fortë.

Faleminderit për mbështetjen, mesazhet dhe mirëkuptimin tuaj të jashtëzakonshëm. Do të thotë shumë për mua. Do të punoj çdo ditë për t’u rikuperuar dhe për t’u kthyer më i fortë se kurrë. Shihem së shpejti!



Lexoni të gjitha në Bota Sot