Mbrojtja e jetës së përditshme të banorëve në rrezik, Athina në udhëkryq pas rritjes rekord të turizmit

- Bota Sot

Mbrojtja e jetës së përditshme të banorëve në rrezik, Athina në udhëkryq pas rritjes rekord të turizmit

Athina po përballet kohët e fundit me një dilemë gjithnjë e më të fortë: rritje rekord e turizmit apo mbrojtje e jetës së përditshme të banorëve.

Janë statistikat e fundit ato që tregojnë presionin në fjalë. Gjithë rajoni i Atikës ka mbi 68 mijë shtretër hotelerie, ndërsa rreth 35 mijë janë në qendër të kryeqytetit Athinës sidomos në lagjet Plaka, Monastiraki, Syntagma dhe Koukaki.

Paralelisht, shtëpitë e regjistruara në platformën e qirave afatshkurtra Airbnb vazhdojnë të rriten: ka tashmë mbi 12 mijë prona aktive, me rritje rreth 11% vetëm vitin e fundit. Paralajmërimi për rreziqet nga hiperturizmit vjen nga kryebashkiaku i qytetit , Haris Doukas, i cili ngre çështjen e kufizimit të hoteleve të reja në zonat e mbingarkuara duke theksuar se Athina nuk duhet të bëhet si Barcelona.

Në nivel kombëtar, turizmi në Greqi thyen rekorde çdo vit: edhe vjet pati 43,3 milionë mbërritje ,mbi 3,4 mln më tepër se një vit më parë. Gjithashtu u regjistrua 9,4% rritje e të ardhurave vjetore nga turizmi që arritën shifrën prej 23,6 miliardë euro në këtë sektor që kontribuon afërsisht me 21% në ekonominë e vendit.

Por kjo rritje ka kosto. Qiratë vetëm gjatë vitit të kaluar janë rritur mbi 10%, ndërsa prej vitit 2017 ka një rritje prej 87% me pasojë gjithnjë e më shumë banorë detyrohen të largohen nga qendra, për shkak të mungesës së banesave dhe presionit të turizmit.

Vlen të theksohet se prej vitit 2024 në Athinë, qiraja mesatare për një apartament me dy dhoma gjumi përbënte 93,6% të pagës mesatare mujore, shifër dy herë më e lartë se mesatarja e BE.

Debati për çështjen ka kaluar edhe në nivel politik, me përplasje mes kryebashkiakut të Athinës dhe ministres e Turizmit ku reflektohen dy qasje: njëra që kërkon frenim të zhvillimit për të mbrojtur qytetin dhe banorët me kërkesa për kufizime dhe rregulla më të forta, dhe tjetra që thekson nevojën për të ruajtur imazhin dhe dinamikën turistike të kryeqytetit si destinacion ndërkombëtar.

Ndërsa Athina mbetet ndër qytetet më të vizituara në Europë, pyetja bëhet gjithnjë e më urgjente: çfarë duhet të ketë përparësi – rritja ekonomike nga turizmi, apo e drejta e banorëve për një qytet të jetueshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot