Juventusi ka nisur ta planifikojë “pazarin” e verës dhe një nga prioritetet kryesore është lista e largimeve të mundshme, për ta ristrukturuar skuadrën.
Në këtë kontekst, drejtuesit bardh e zinj po i analizojnë disa lojtarë që mund të largohen në fund të sezonit, për arsye teknike dhe ekonomike.
Në mesin e emrave më të përmendur është ai i Edon Zhegrovës, shkruan mediumi italian “Tuttosport”.
Ylli kosovar nuk i ka pasur hapësirat e pritura dhe mund të konsiderohet një largim i mundshëm në rast ofertash të favorshme.
Ish-futbollisti i Baselit dhe i Lillet do të donte të qëndrojë në Torino, por duket se trajneri Luciano Spalletti nuk llogarit në të dhe “Bianconeri” mund ta pranojnë një ofertë të kënaqshme eventuale.
Ideja e klubit është e qartë: të ndërtohet një skuadër më e balancuar dhe konkurruese për sezonin e ardhshëm, duke i sakrifikuar disa elementë që nuk kanë arritur ta japin kontributin e pritur.
Afati kalimtar i verës pritet të jetë i ngjeshur për Juventusin, me shumë lëvizje si në hyrje ashtu edhe në dalje.