Në prag të një përballjeje vendimtare europiane, Diego Simeone zgjedh të qëndrojë me këmbë në tokë.
Trajneri i Atlético Madrid, në ditëlindjen e tij, shmangu çdo dëshirë personale dhe vuri theksin te stabiliteti familjar, duke përcjellë një mesazh përulësie:
“Ëndërrimi është i bukur, por realiteti është ajo që ndodh në tokë. Ne bëjmë pjesën tonë, pastaj ndodh ajo që do Zoti”.
Rikthimi mes katër skuadrave më të mira të Europës pas nëntë vitesh nuk perceptohet si barrë, por si një “përgjegjësi e veçantë”.
Simeone e bën të qartë se përballja me Arsenal kërkon përqendrim maksimal: “Nuk më lë hapësirë të mendoj për gjëra të tjera.
Do të jetë një duel i fortë, i vendosur nga detajet dhe puna mbrojtëse që na ka sjellë deri këtu.
Futbolli nuk i detyrohet askujt, gjithçka fitohet me luftë dhe duke shpresuar që fati të jetë në anën tënde”.
Në analizën e tij për individët, tekniku argjentinas vlerësoi rolin e Alexander Sørloth, duke e cilësuar “vendimtar” kur është në formë optimale. Ndërkohë, prania e Ademola Lookman mbetet në dyshim për shkak të një problemi fizik.
Sa i përket Julián Álvarez, që është në radarët e klubeve të mëdha si Barcelona dhe Paris Saint-Germain, Simeone nuk kurseu elozhet: “Është normale që klube të tilla e duan, po flasim për një lojtar të jashtëzakonshëm”.