Gjatë gjithë vitit ka pasur raportime të vazhdueshme që sulmuesi i Atletico Madridit, Julian Alvarezi, është objektivi kryesor i transferimit për Barcelonën këtë verë – dhe duket se katalanasit po fillojnë të lëvizin konkretisht.
Nga ana e tij, Alvarezi është përpjekur të distancohet nga zërat e merkatos, pa e përjashtuar plotësisht mundësinë e largimit.
Barcelona e ka identifikuar atë si zëvendësuesin ideal për Robert Lewandowskin, pasi kërkon të sjellë një sulmues cilësor “numër 9”.
Megjithatë, Atletico ka qenë e qartë: lojtari, që ka kontratë deri në vitin 2030, nuk është në shitje dhe klubi nuk ka arsye ta konsiderojë një gjë të tillë.
Sipas “El Chiringuito”, Alvarezi i ka komunikuar klubit madrilen dëshirën për t’iu bashkuar Barcelonës këtë verë.
Edhe pse ky informacion nuk është konfirmuar gjerësisht, raportohet se Barcelona tashmë ka kontaktuar me Atleticon përmes ndërmjetësve për një marrëveshje të mundshme.
Ndërkohë, “ESPN” shton se presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, synon të merret personalisht me negociatat me drejtorin sportiv të Atleticos, Mateu Alemany – një marrëveshje që pritet të jetë shumë e vështirë për t’u realizuar.
Po sipas të njëjtit burim, oferta fillestare e Barcelonës pritet të jetë rreth 70-75 milionë euro, plus përfshirjen e një lojtari në marrëveshje.
Nuk dihet ende se cili lojtar mund të ofrohet, por më parë është përmendur Ferran Torres si një emër që mund t’i interesojë “Los Colchoneros”.
Megjithatë, vendosmëria e Atleticos për ta mbajtur Alvarezin pritet të jetë pengesa kryesore për çdo marrëveshje, sidomos në rast të një shkëmbimi lojtarësh.
Duke folur të hënën para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, Alvarezi u shpreh se nuk mund të merret vazhdimisht me thashethemet e transferimeve dhe preferon të përqendrohet te ndeshjet.
Megjithatë, mediat spanjolle kanë vënë re se ai vazhdon të shmangë çdo garanci për të ardhmen e tij.