Ambasadori serb në Bernë e citon Gazmend Muhaxherin për të sulmuar Albin Kurtin

- Bota Sot

Ambasadori serb në Bernë e citon Gazmend Muhaxherin për të sulmuar Albin Kurtin

Ivan Trifunoviq, ish-lobist i qeverisë serbe në SHBA dhe aktualisht ambasador i Serbisë në Bernë, i emëruar nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq, ka lavdëruar kryetarin e Pejës dhe anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, i cili e ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me Sllobodan Millosheviqin.

Në një intervistë për portalin zviceran “20 minuten”, Trifunoviq e ka quajtur qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Kurti “ekstremiste”, duke u mbështetur në deklaratat e Muhaxherit si shembull.

Pjesë nga intervsita:

Le të flasim për pikën ndoshta më delikate: Kosova.

Në Zvicër, kosovarët dhe serbët punojnë vit pas viti në të njëjtat zyra, pa probleme. Për njëzet vjet nuk kam parë kurrë një përshkallëzim personal mes kosovarëve zviceranë dhe serbëve zviceranë. A nuk mund të “kthehet” kjo normalizim disi nga këtu drejt vendlindjes?

“Një përpjekje do të vlente. Atmosfera në vend është aq e helmuar saqë bëhet e vështirë. Ekziston i ashtuquajturi Procesi i Solothurnit, i cili nuk ka të bëjë me diasporën: qeveria zvicerane i ul në një tavolinë të gjitha partitë politike nga Kosova dhe Serbia, bashkë me OJQ-të. Rregullat e Chatham House. Të gjithë mund të thonë çfarë duan. Fakti që njerëzit flasin me njëri-tjetrin është tashmë një përparim, dhe ne jemi mirënjohës Zvicrës që i organizon këto takime”.

Nga këndvështrimi juaj: cili është thelbi i vërtetë i konfliktit të Kosovës?

“Ajo që po ndodh aktualisht në Kosovë me pakicën serbe. Ky është thelbi. Nëse Serbia e njeh Kosovën apo jo është çështje politike, por për jetën e përditshme të njerëzve nuk është vendimtare. Qeveria Kurti është ekstremiste. Ajo synon në fund ta largojë pakicën serbe. Ai e ka thënë hapur – në Kroaci, serbët pas luftës u larguan të gjithë, “dhe shikoni, nuk ka problem”. Në kushtetutën e Kosovës ekziston një prag për të drejtat e pakicave; ai dëshiron t’i ulë serbët nën atë prag për t’ua hequr të drejtën e vetos. Unë kam qenë personalisht në Kosovë, me një OJQ serbo-amerikane. Kam folur me shumë serbë, edhe me ata që e kundërshtojnë Vuçiqin. Jetët e tyre janë të rrezikuara. Policia shkon në shkolla dhe spitale. “Tani je pjesë e Kosovës, nuk mund të kesh shkollë serbe.” Kjo është saktësisht ajo që Milosheviçi u bënte shqiptarëve. Pa arsim, frikësim policor, arrestime arbitrare”.

A keni një shembull konkret?

"Një burrë nga Serbia vjen për vizitë. Dikush thotë: “Më kujtohet vagullt që e kam parë me policinë serbe në 1999.” Gjashtë muaj paraburgim hetimor. Pa prova, pastaj: “Mund të shkosh në shtëpi.” Ai qëndroi gjashtë muaj në burg. Edhe më keq, disa persona janë dënuar me vite burg mbi bazë provash të dobëta. Edhe opozitarë shqiptarë thonë për Kurtin: ajo që po u bën serbëve nuk është e pranueshme. Kryetari i komunës së Pejës (Peć), Gazmend Muhaxheri, e ka krahasuar qasjen e Kurtit në komunat serbe me atë të Milosheviqit në vitin 1989 ndaj Kosovës".



Lexoni të gjitha në Bota Sot