Pas 14 vitesh në elitën e futbollit italian, Paulo Dybala është gati të mbyllë një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij në Serie A.
Sulmuesi argjentinas pritet të largohet nga Roma në fund të sezonit, duke mos arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës.
32-vjeçari ka qenë pjesë e Romës për katër sezone, ndërsa më parë ka lënë gjurmë me fanellat e Palermo dhe mbi të gjitha Juventus, ku përjetoi periudhën më të suksesshme në Itali, duke u kthyer në një nga yjet më të dashur të kampionatit.
Sipas raportimeve nga ESPN, Dybala ka marrë vendimin për t’u rikthyer në Argjentinë dhe tashmë ka arritur një marrëveshje me Boca Juniors.
Transferimi pritet të zyrtarizohet në muajin qershor, me lojtarin që do të firmosë një kontratë trevjeçare me gjigantin nga Buenos Aires.
Ky vendim shënon një kthesë të madhe në karrierën e tij, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm në Evropë. Rikthimi në vendlindje shihet si një sfidë e re për Dybala, i cili do të synojë të lërë gjurmë edhe në futbollin argjentinas.
Për tifozët e Serie A, largimi i tij përfaqëson fundin e një epoke, ndërsa për Boca Juniors, është një goditje e madhe që mund të rikthejë klubin në majat e futbollit kontinental.