Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si Rusia po menaxhon informacionin dhe komunikimin brenda vendit, në kuadër të pasojave të luftës në Ukrainë.
Në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg, ajo tha se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian po ndikojnë ndjeshëm në ekonominë ruse, duke sjellë pasoja për qytetarët përmes rritjes së çmimeve dhe normave të interesit.
Sipas saj, Kremlini po kufizon gjithnjë e më shumë aksesin në internet dhe lirinë e komunikimit, duke krijuar një situatë ku qytetarët rusë kanë më pak informacion për zhvillimet reale brenda vendit.
Ajo e krahasoi këtë situatë me një “perde të hekurt digjitale”, duke nënkuptuar izolimin e informacionit dhe kontrollin e tij nga autoritetet ruse.
Në të njëjtën kohë, u bë e ditur se Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës, e 20-ta që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022.